Policia Rrugore Vlorë, 5 mijë masa administrative gjatë majit

Policia Rrugore e qarkut të Vlorës ka shtuar kontrollet gjatë muajit maj, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Në një njoftim për mediet, Policia bën me dije se 22 drejtues mjetesh janë arrestuar, 20 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa u pezulluan 5 lejedrejtimi.
“Gjatë muajit maj, strukturat e qarkullimit rrugor në Vlorë dhe Sarandë intensifikuan kontrollet në akset urbane dhe interurbane, me fokus rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe reagimin ndaj çdo shkeljeje që cenon jetën e përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, “u vendosën 5030 masa administrative, si 1367 për tejkalim të shpejtësisë; 336 për parakalime të gabuara; 297 për mosvendosje të rripit të sigurimit; 115 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 420 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 60 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”, cilësohet në njoftim.
Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës, u rikujton qytetarëve aktivitetin e Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë në datat 28, 29 dhe 30 maj 2025, ku do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe parkimit të automjeteve, në disa segmente rrugore të qytetit të Vlorës dhe zonave përreth.
DVP Vlorë fton qytetarët të shmangin qarkullimin dhe parkimin në këto segmente, sipas orareve të përcaktuara, për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.

