Kapet në Portin e Durrësit 13.7 kg heroinë në një autobus, arrestohet pronari i firmës dhe shoferi
13 kilogramë e 750 gramë heroinë u zbuluan të dielën në Portin e Durrësit në një autobus të linjës Durrës-Milano. Policia ka arrestuar pronarin e firmës së autobusëve si dhe shoferin e mjetit.
Është momenti kur qeni antidrogë nuhat praninë e lëndës narkotike.
13 kilogramë e 750 gramë heroinë zbuluan punonjësit e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit pasi prenë me troko pjesën metalike të krijuar enkas për fshehjen e drogës.
Heroina e ndarë në 26 pako të mbështjella me natriban u gjet në pjesën e pasme të një autobusi të linjës Durrës- Milano.
Shërbimet e Policisë Kufitare bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative kaluan për kontroll të detajuar në vijën e dytë mjetin.
Nga kontrolli i imtësishëm duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën në pjesën e pasme të autobusit heroinën e paketuar me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në flagrancë është arrestuar pronari i firmës së linjës së autobusëve Durrës-Milano Mikel Pici 32-vjeç të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe një dozë lëndë narkotike kokainë.
Në pranga është vënë edhe shoferi i autobusit Piro Rrushi banues në Fier.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.
Ndaj të ndaluarve rëndojnë veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” ndërsa vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

