Mes "terminalit" të plehrave, banorët në “Rrugën e Shkodrës” në Tiranë apelojnë për pastrimin
Duket si një landfill por jo. Jemi në një lagje shumë pranë terminalit të veriut, në rrugën e Shkodrës.
Pamjet që shikoni në video, banorët e kësaj lagjeje i kanë para syve çdo ditë.
Hapësira para pallatit të tyre, nuk është ajo e gjelbëruara që premtohet në projekte.
Veç mbetjeve urbane aty depozitohen edhe inertet. Është një terminal plehrash.
Banorët thonë se kjo situatë është e pandryshueshme prej vitesh.
"Që 5 vite që kam ardhur kështu është. Nuk kanë ku të luajnë fëmijët, asgjë."
Rrezik për këto banorë janë dhe ujërat e zeza.
Edhe në këto ditë, kur temperaturat arrijnë në 40 Gradë Celcius, askush nuk kujdeset për të sistemuar të pakten ujërat e zeza, të cilat rrezikojnë shëndetin e banorëve.
Ata kërkojnë ndërhyrje nga Bashkia.
"Bashkia ta pastrojë dhe të largojë mbeturinat, nuk dalim dot te dera."
"Të pastrojë plehrat."


