Përgjysmimi i transportit urban, Memaj: Asnjë reagim nga institucionet shtetërore, situata mund të përkeqësohet
Prej 4 ditësh në kryeqytet transporti urban operon me gjysmë kapaciteti.
Përfaqësuesi i Unionit të Shoqatës së Transportit, Dashnor Memaj i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se vendimi për të operuar me gjysmë kapaciteti u mor pas shumë kërkesave dhe letrave drejtuar planeve të biznesit për kalimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia. Më tej shtoi ai se ndikuar dhe problemet e akumuluara dhe para pandemisë duke qenë qe ky sektor ka qenë i lënë mënjanë.
Memaj: Nuk ka pasur një studim të mirëfilltë nga organet shtetërore se si do të funksionojë dhe çfarë mekanizëm shteti duhet të përdorë për ta nxjerrë këtë sektor sa më mirë në shërbim ët qytetarëve. Goditja më fatale erdhi pas rritjes së çmimit të naftës. Përveç aspektit ekonomik ajo që na solli deri në këtë pikë ku jemi është edhe mungesa e stafit të punonjësve pasi kemi mungesë të theksuar.
Arsye të mungesës së stafit, Memaj përmendi mosinteresimin për të punuar në këtë sektor dhe largimin jashtë vendit. Memaj u shpreh se kostot për mirëmbajtjen e këtij sektori janë rritur në mënyrë të vazhdueshme.
Memaj: Ne ishim në limitet e mbijetesës dhe rritja e naftës ishte goditja e fundit. Subjektet e transportit në këtë kohë që flasim nuk rezistojnë dot më shumë nëse nuk kanë një indikator shtetëror që të jetë rregullator i kësaj situate.
Memaj u shpreh gjatë intervistës se për këtë situatë, që nga përgjysmimi i kapacitetit të transportit urban pavarësisht vonesave dhe dyndjeve të qytetarëve nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e bashkisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Memaj: Nuk kemi pasur një reagim se si do t'i jepet një zgjidhje kësaj situate. Natyrisht kjo heshtje totale është vrastare në aspektin ekonomik edhe për subjektet se nuk e dimë çfarë do të bëjmë nesër, çfarë plani ka qeveria, si do ta menaxhojë këtë situatë të vështirë.
Në përfundim Memaj tha se kapaciteti i transportit mund të vijë duke u reduktuar për shkak të pamundësisë financiare. Ai u shpreh se reduktimin nuk vjen nga dëshira, por e sjell situata vetë.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku

