Zjarr në pallat në Shëngjin, objekti 6-katësh banohej ndërsa ende ishte në ndërtim

Një pallat 6-katësh që ka nisur të banohet, por ende është në proces ndërtimi u përfshi nga një zjarr në Shëngjin! Dyshimet janë se shkak u bë një shkëndije elektrike, ndërsa flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një pallat që ka nisur të banohet por është ende në proces ndërtimi në zonën turistike të Shëngjinit në Lezhë.

Flakët u shfaqën rreth orës 10:00 të paradites dhe për shkak të një sasie polesteroli që ndodhej aty u përhapën me shpejtësi në pjesën e jashtme duke depërtuar brenda disa apartamenteve.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar, pasi këto banesa kryesisht përdoren gjatë sezonit veror, por dëmet materiale ishin të konsiderueshme.

Për disa minuta situata e krijuar ishte e rrezikshme dhe kërkoi ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për të vënë flakët nën kontroll.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një kabull elektrik, pasi në këtë pallat po punohet në ngritjen e disa kateve të tjera.

Shkëndijat elektrike dhe shpërthimet e bombolave të gazit, sipas ekspertëve janë dy nga shkaqet kryesore të zjarreve në banesa në vendin tonë, që në disa raste kanë prodhuar edhe tragjedi.

EMISIONET