Përdhunoi të sëmurën mendore në shtëpinë e saj, prokuroria kërkon mbylljen në burg të kryeplakut
"Arrest me burg" ka kërkuar prokuroria e Korçës për kryeplakun Ervis Rrapo i akuzuar për abuzim seksual me një bashkëfshatare me probleme mendore. Masa pritet të caktohet nga gjykata në fundjavë.
Ervis Rrapo, kryeplaku i fshatit Rehovë në Korçë, do përballet këtë fundjavë në gjykatë me akuzën e “Kryerjes së marrëdhënies seksuale pa dëshirë me persona të pazotë dhe të pambrojtur”.
Prokuroria e qytetit, këtë të premte i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Korçës, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për kryeplakun Ervis Rapo.
I riu nuk ka pranuar akuzën duke pretenduar se gjithçka është bërë për hakmarrje nga babai i vajzës.
Por nga ana tjetër S.G, ka deklaruar në policinë e Korçës, se ai e kishte kapur lakuriq Ervis Rrapon, brenda në banesën e tij, teksa ishte me vajzën duke kryer marrëdhënie seksuale.
Pavarësisht pretendimeve të Ervis Rrapos, prokuroria kërkon mbylljen në burg të tij, deri në fazën e sqarimit të plotë të ngjarjes, duke kryer dhe ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.
Pritet që këtë fundjavë gjykata e Korçës, të shprehet nëse do vendosë mbylljen në burg të kryeplakut apo do caktojë një masë më të butë për Ervis Rrapon.