PD reagon ashpër për shkarkimin e Metës: Vendim antikushtetues, gjykata të refuzojë farsën e Kuvendit

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas votimit të Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Në një deklaratë për mediat, PD thotë se sulmi antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi
Institucionin e Presidentit të Republikës është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi.
Ky akt, vijon PD, vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.
Partia Demokratike nënvizon se përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.
Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Tashmë çështja pritet t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vihet në dijeni për votimin brenda 5 ditëve nga ana e Kuvendit. Kushtetuesja do të japë edhe verdiktin final lidhur me vendimin në fjalë.


