PD: Kriza energjetike krizë keqmenaxhimi, qeveria shkaktoi 40 mln euro dëm ekonomik. SPAK të hetojë
Partia Demokratike vijon të sjellë prova të asaj që e quan “krizë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të KESH dhe OSHEE” ndërsa vetë qeveria “krizë energjetike”
Deputetja e PD-së Ilda Dhori përmes një deklarate për median tha se pas kësaj krize, qeveria po përpiqet të fshehë përgjegjësitë e saj, për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet shumica e familjeve shqiptare dhe sipërmarrësit e ndershëm, që nuk konkurojnë dot në një ekonomi jo konkuruese, të përqëndruar në pak duar.
PD denoncon ato që i quan zgjedhje të papërgjegjshme që qeveria ka bërë vetëm midis muajve shtator dhe tetor.
“Sepse ndërkohë që flasin për krizë, u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej 40 milionë eurosh.
1) 10.6 milionë euro për blerjen e energjisë me çmimin më të lartë se bursa nga ana e OSHEE;
2) 12 milionë euro, duke përzgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë për tunelin e Llogarasë;
3) 17.4 milionë euro, duke përzgjedhur ofertat më të shtrenjta për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të hetojë me përparësi këto shpërdorime, me taksat e shqiptarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Qytetarët e vendit më të varfër në Europë, nuk mund të paguajnë nga xhepat e tyre abuzimet e qeverisë më të korruptuar në Europë” mbyll deklaratën e saj deputetja demokrate, Ilda Dhori.
