Pas Fierit, deputetët e komisionit hetimor inspektojnë incineratorin e Elbasanit
Pas Fierit, anëtarët e komisionit hetimor parlamentar për incineratorët zbarkuan të mërkurën në impiantin e mbetjeve në Elbasan.
Opozita deklaron se ky impiant nuk i ka pastruar mbetjet por e ka shtuar ndotjen për shkak se kontrata nuk ka parashikuar eleminimin e hireve të rrezikshme të incineratorit.
Luçiano Boçi: Në kontratë nuk është parashikuar që hiret të hidhen sepse janë produkti më i rrezikshëm i incineratorit, kanë përmbajtje kimike kancerogjene dhe asgjesuese për natyrën. Nuk pranohet që ato të përzihen me mbetjet e landfillit.
Gjatë inspektimit, deputeti demokrat Luçiano Boçi, debatoi dhe me nënkryetaren e Komisionit Hetimor për incineratorët Ermonela Felaj.
Luçiano Boçi: Më li të flas, kur je në komision je nënkryetare por këtu nuk je nënkryetare, ti erdhe veçmas, unë erdha vetë, nuk erdha me ty. Nuk erdha se nuk na pritët ju. U prish kontrata jonë. Unë kam ardhur vetë me Lefterin, kam ardhur si përfaqësues i PD. Nuk na pritët sepse nuk e zbatoni miqësinë. Këtu është hetim, nuk kemi mbledhje.
Vetë përfaqësuesi i kompanisë së incineratorit të Elbasanit u shpreh se pavarësisht se landfilli dhe incineratori ndodhen në të njëjtin ambjent ato funksionojnë si institucione të ndryshme.
"Landfilli me incineratorin, pavarësisht se janë brenda një subjekti, i quajmë dy institucione të ndryshme."
Një ditë më parë anëtarët e komisionit parlamentar inspektuan dhe incineratorin e Fierit, për të cilin deklaruan se janë dhënë nga buxheti i shtetit 28 mln euro për një impiant që nuk ekziston.




