Pas ankesave të qytetarëve në Ora News, kempi për personat me aftësi të veçanta edhe në rrethe
Pas denoncimeve të qytetarëve për vonesa në zyrat e shërbimit social në Tiranë dhe trajtimit të kësaj problematike në kronikat e Ora News, ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta shtrijë këtë shërbim edhe në qytete të tjera.
Qarku i Durrësit është i pari ku do të ofrohet vlerësimi bio-psiko –social i personave me aftësi të kufizuar, më pas do të shtrihet në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë.
Nga Qendra shëndetësore në Krujë ministrja Ogerta Manastiurliu tha se kjo skemë e re do të ul abuzimet dhe burokracitë.
"Ne kemi krijuar të gjithë ambientet e përshtatshme dhe me stafin e dedikuar të shërbimit social shtetëror dhe të shëndetësisë për të krijuar këtë mekanizëm kaq shumë të rëndësishëm. Për të ulur çdo abuzim, për të ulur burokracitë dhe për të rritur transparencën," tha Manastirliu.
Në skemën e re të mbështetjes financiare për personat e me aftësi të kufizuar do të përfshihen dhe fëmijët e moshave 0-2 vjeç.
"Vlerësimi i fëmijëve 0-2 vjeç dhe në tërësi i fëmijëve 0-18 vjeç është përmirësuar dhe ka sjellë rezultate që fëmijë të cilët nuk ishin mbështetur për parë me pagesa e aftësisë ndryshe, ata kanë filluar të mbështeten," tha Manastirliu.
Ministria informon se nga mbështetjet e kësaj skeme përfitojnë mbi 160 mijë persona. Prej tyre, 75 mijë janë me aftësi ndryshe ndërkohë që 72 mijë të tjerë janë persona të invalidizuar në punë.
Një tjetër kategori janë rreth 18 mijë ndihmës apo kujdestarë të personave të cilët kanë problematika të thelluara shëndetësore.

/OraNews/

