PAMJET/ Reshjet dëmtojnë urën në Tepelenë, Suhë-Poliçan mbetet i bllokuar
Reshjet e shiut kanë shkaktuar disa probleme në qarkun e Gjirokastrës, duke dëmtuar një urë në Tepelenë dhe bllokuar aksin rrugor Suhe-Poliçan.
Prefektja e qarkut të Gjirokastrës, Albana Hasanaj tha sot për ATSH-në se “në bashkinë Dropull problematike mbetet ura e fshatit Gline, që aktualisht është e bllokuar për efekt sigurie. Ndërsa në bashkinë Tepelenë u raportua nga Emergjencat Civile se në fshatin Dhemblan është dëmtuar një urë që u shërben banorëve të fshatit për të shkuar në tokat bujqësore”.
Sipas saj, nga bashkia Tepelenë po merren masa për vënien provizorisht në funksion të urës në Dhemblan.
Në bashkinë Përmet ka patur reshje me intesitet të ulët dhe niveli i ujit në lumin Vjosa është 3.4 m dhe prurjet 292.7 m3/s

Situata në bashkinë Gjirokastër nga shirat është e qetë. Në fshatin Zhulat ka një shkarje të vogël dheu mbi rrugë, një mjet i Bashkisë po shkon ta pastrojë. Niveli i lumit është kthyer në shtratin e tij natyral. Po vazhdon monitorimi në përrenjtë malore dhe në pikat e dobëta të rrugeve rurale (tombinot).

“Situata në bashkinë Këlcyrë është e qetë dhe nga komunikimi me Njësitë Administrative dhe kryepleqtë nuk ka raportime për situata emergjente. Reshjet janë me intensitet të ulët dhe furnizimi me drita dhe ujë ka qenë i pandërprerë, teksa rrugët rurale të kalueshme”, tha Hasanaj.
Në bashkinë Libohovë mbetet i bllokuar aksi rrugor Suhe-Poliçan.
“Bashkia Libohovë në bashkëpunim me bashkinë Dropull janë duke punuar në vendin e quajtur Shkëmbi i Dallandyshes për riparimin e shkarrjes së trupit të rrugës. Nga bashkia Libohovë nuk raportohen problematika te tjera”, tha prefektja Hasanaj.

Në bashkinë Memaliaj problematike mbetet furnizimi i dy njësive administrative Luftinjë dhe Buz me energji elektrike, ndërsa niveli i lumit Vjosa është 4.5 metër.


