PAMJET/ Ç’po ndodh në Pogradec? RENEA, dhjetëra kontrolle, armë, dr*gë dhe lekë të sekuestruara, bastiset banesa e shumë të kërkuarit (KARTELA KRIMINALE)
Burime nga Policia bëjnë me dije se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, RENEA, FNSH, Shqiponjat dhe Forca e Posaçme Operacionale janë duke zhvilluar operacion masiv në Pogradec.
Operacioni për drogë, armë e kapje të personave në kërkim.
Deri në këto momente janë zhvilluar dhjetëra kontrolle.
Burime bëjnë me dije se janë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu e armë të ftohta, shuma parash e lëndë narkotike.
RENEA ka rrethuar banesën e të kërkuarit, Erjon Llapushi, i cili akuzohet për vrasjen e një kamarieri në vitin 2021 në Elbasan dhe po ushtron kontroll të imtësishëm në brendësi të banesës së tij.
Pas përfundimit të operacionit raportohrt se Policia do ketë njoftim për mediat.
KARTELA KRIMINALE E LLAPUSHIT
Në vitin 2007, Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin. Një vit më pas, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka plagosur Mariglen Topuzin, i cili fatmirësisht i ka mbijetuar plagëve.
Në vitin 2019, Erjon Llapushi në bashkëpunim me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit kanë detyruar biznesmenë të ndryshëm nga Pogradeci t’u dhurojnë aksione në kompanitë e tyre.
Në dosjen e prokurorisë janë zbardhur dëshmitë e aksionerëve të kompanive, ku iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilën vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.
Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, pasi ndiheshin të rrezikuar për jetën e tyre dhe të familjarëve. Ata kanë informuar prokurorinë se për këtë shkak kishin pezulluar edhe punën. Më pas, aksionet i shitën tek një person i tretë.
Në 29 maj 2021 Erjon Llapushi u arrestua sërish pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së.
Ndërkohë, në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri.
Ndërsa në tetor të vitit 2021, Llapushi vrau një kamerier në një restorant, Gazment Kurmaku, i cili nuk e lejoi të ulej në një nga tavolinat, që ishte paraprakisht e rezervuar.
VRASJA E KAMARIERIT
Në 2 tetor 2021 Llapushi kapi nga fyti kamarierin Gazment Kurmaku për një tavolinë, e kërcënoi me një thikë, e më pas e vrau. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Luan Dulellari nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar shokun e tij apo për të mbrojtur viktimën, por u arratis.
Gazment Kurmaku, 57-vjeç u vra për arsye banale, për një tavolinë që ishte rezervuar. Ai u vra nga Erjon Llapushi, 33 vjeç ne ate kohe, një personazh i skeduar për aktivitet kriminal, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sherri mes tyre, nisi për një tavolinë të rezervuar, ku mësohet se kryekamarieri i ka bërë me dije Llapushit, se ajo ishte e zënë dhe nuk duhej të ulej aty.
Erjon Llapushi akuzohet për veprën penale "vrasje me dashje" dhe Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 20 vite burg në total për të.