Pa treg, pa ndihmë e perimet në kanal. Fermerët e Fierit: Do ikim, këtu nuk bëhet më

Fermerët në vendin tonë kanë shprehur disa herë shqetësimet për prodhimet e tyre, në lidhje me mungesën e tregut dhe ndihmën nga shteti. Në fshatrat e Fierit, fermerët po hedhin prodhimet e tyre në kanale, ndërsa thonë se janë në prag falimentimi.

Karroca e mbushur me perime, po dërgohet për tu hedhur në përrua.

Në fshatrat Suk 1 dhe Suk 2 në Roskovec, kanalet janë të mbushura me prodhime të serës. Domatet dhe prodhimet e tjera shihen të kalbura atje.

Fermerët thonë se janë drejt falimentimit, për shkak të mungesës së tregut.

“Jo se s'duam të punojmë,por nuk na lënë të punojmë. Ky sezon ishte dobët fare, pa larë as shpenzimet. Falimentim quhet. Ai vajti në emigrim për të larë kredinë” thotë fermeri.

Ata thonë se nuk kanë pasur asnjë mbështetje.

“Kjo serë këtu, do rreth 1 milion lekë që të mbillet. Shumë shtrenjtë, shumë shtrenjtë."

Në këto kushte të vështira për ta, thonë se zgjidhja e vetme është ikja.

“Do i braktisim do ikim, nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër. Do thoni, ku? Do ikim, po ku di gjë unë, ku? Të ikim tutje, të ushqejmë familjet tona, këtu nuk bëhet më, nuk bëhet më” tha fermeri

Në të gjithë vendin fermerët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e shitjeve të prodhimeve vendase, dhe mungesën e subvencionimeve.

EMISIONET