Ora News në gërmadhat e "5 Majit", banori mes lotësh: Mi shuan kujtimet dhe ëndrrat e fëmijëve

21 shkurti ishte nata e fundit që 12 familje jetuan në shtëpitë e tyre.

Në 22 shkurt mundi dhe djersa e gjithë jetës u shkatërrua në pak sekonda, duke e kthyer gjithçka në gërmadhë.

"Më mori vajza në telefon dhe më tha a e ke porositur tortën?"

Kanë qenë këto fjalët që Alenia  i është drejtuar të atit të saj teksa ai u shoqërua në polici ditën e lindjes së saj.

"Kur vajta në komisariat u thashë që a e shikoni se po më merr vajza për ditëlindjen, do të festojë ditëlindjen."

Mes lotëve, një ditë pasi shtëpia ju shemb, Bekim Çerra thotë se nuk i ndahet shpirti kollaj nga kujtimet.

"Këto janë kujtimet e mia, të familjes, fëmijëve që kemi jetuar për 25 vjet këtu. Të shuhet për një ditë, 5 minuta, nga shteti që duhet të mbrojë. Nuk kam shpresë më, të më prishet shtëpia, të më cënohet e drejta e jetesës."

Ai tregon se pasi u lirua nga komisariati,vajza i kërkoi të shkonin në shtëpinë e tyre dhe u detyrua që ta gënjente për të mos i treguar atë çfarë ka ndodhur.

"Vajza e madhe tha pse nuk na çon te shtëpia jonë, i thashë kemi blerë shtëpi tjetër. Nuk e dinë ata edhe sa do të rrinë me qira, që nuk është shtëpia e tyre por është marrë me qira. S'dua t'ua shpjegoj, se nuk dua të traumatizoj fëmijët."

Edhe pse rezistuan nuk mundën ti përballonin një numër të lartë të policisë.

Ato u nxorën nga shtëpitë e tyre, edhe pse nuk kishin rënë dakord të linin banesat e tyre.

Ata kërkonin të drejtën e tyre.

Nuk kërkuan të vjedhin por të mbronin pronën e tyre.

Ndërkohë gjatë aksionit të 22 shkurtit u shoqëruan 7 persona, 2 prej të cilëve u lanë të lirë.

Ata akuzohen për veprën "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".

EMISIONET