Ora Investigim/ Hypertea, çaji që shitet si ilaç. Reklamohet online se ul tensionin por është i paçertifikuar

Në rrjetet sociale dhe faqe të ndryshme online reklamohen produkte që  bëjnë  mrekulli. 

Një i tillë është edhe çaji "Hypertea",  i cili  thuhet  se ul tensionin e lartë, pastron enët e  gjakut, redukton stresin, madje të ndihmon edhe të  humbësh në peshë. 

Në "Ora investigim" ka mbërritur informacioni se reklamën e këtij produkti e bejnë mjekë të rremë që nuk ekzistojne.

Të moshuarit  joshen të  blejnë këtë produkt pasi mendojnë se rekomandimet për përdorimin e tij i japin bluzat e bardha. 

Pas mbërritjes së këtij denoncimi ne kemi investiguar në lidhje me "çajin magjik" që shitet vetëm online.   

Sipas asaj çfarë thuhet në këtë faqe është se hipertensioni shërohet  me këtë çaj.

Eksperti në këtë rast është një mjek që ka emër por nuk ka mbiemër.

Për të joshur më shumë blerësit, vendosin emra imagjinarë që t’i bëjnë reklamë këtij produkti.

Sipas këtyre mashtrimeve online, mjeku këshillon pacientët që të heqin dorë nga përdorimi i medikamenteve dhe të përdorin vetëm këtë çaj. 

Për të shtuar shitjet online këto kompani, që as nuk dihet se cilat janë,  përpiqen t’i bindin  blerësit se mjekët e korruptuar dhe farmacitë përfitojnë nga shitja e ilaçeve, ndërkohë që sipas tyre zgjidhja eshtë vetëm ky super çaj që ata tregtojnë. 

Gazetarja: Ndërsa përdor këtë mund të heq ilaçet.

Shitësja online: Po por javën e parë ti merrni paralel dhe pas 10 ditëve i largoni fare. Nga përvoja e klientëve të mi po ju flas. Nuk përdorin më ilaçe.

Edhe pse  shkruhet serbisht, ky produkt reklamohet se prodhohet në Gjermani.

Shitësja online: Prodhohet në Gjermani dhe ne furnizojmë 8 shtete europiane, përfshirë Shqipërinë.

Për këtë çaj, që i kushton të moshuarve gjysmën e pensionit, nuk ështe e mundur të gjesh as emrin e prodhuesit dhe as emrin e distributorit.

Për më tepër nuk ka asnjë etiketë që tregon se cilat janë 52 bimët  nga të cilat përbëhet. 

Kjo është foto që na u dërgua por pa etiketë informuese për përbërësit. Nëse insiston ta kërkosh këtë informacion, përgjigjia që merr është e prerë.

Shitësja online: S’ka gjë e lemë, e mori tjetër kush ofertën tuaj.

Dyshime të mëdha ngrihen për faktin se ky çaj bimor nuk gjendet në farmaci, por shitet vetëm online. 

Për më tepër të dhënat që u ofrohen blerësve janë kontradiktore, pasi ky preparat gjerman u krijua në vitin 2015 nga Instituti i Zemrës dhe Vaskulave në Prishtinë, ndërsa miratimi klinik u krye në një spital që nuk dihet kush është, në Shqiperi në vitin 2011.  

Me këtë logjikë absurde ky produkt u lejua të shitej 4 vite para se të krijohej. 

Kompani ose individë të cilët fshihen pas këtyre faqeve online rrisin fitimet e tyre duke shitur produkte që u mungon etiketa dhe nuk dihet se ku prodhohen, por nga ana tjetër  të moshuarve po u rrezikohet seriozisht jeta pasi besojnë mashtrimet online që behen në emër të mjekëve imagjinarë. 

EMISIONET