Çollaku mesazh Ramës: Mbaji këmbët në tokë, furtuna përballë teje do jetë më e fortë se ajo që ka përfshirë PD
Partia Demokratike prej kohësh ndodhet në një krizë. Kryeministri Rama duket se nuk e konsideron më opozitën bazuar në deklaratat e tij. Kushtetuta parashikon një seancë konsultimesh për sa i përket Presidentit, por kryeministri tha se e ka konsultën vetëm me qytetarët pasi nuk di me cilën PD të flasë. Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se ky debat i brendshëm i ka krijuar një lloj vakance politike të pamerituar Edi Ramës dhe mazhorancës.
Çollaku: Çështja e moskonsultimit për Presidentin është një çështje që tregon pjekurinë politike të këtij kryeministri. Nuk e ka bërë edhe kur ka qenë PD pa këto problematika kështu që nuk ka asgjë të re për sa i përket Ramës. Për sa kohë që ky tension në PD zgjat do ta gëzojë një lloj vakance, por ju garantoj vakanca politike për Edi Ramën do jetë shumë e shkurtë. I them t'i mbajë këmbët mirë në tokë se furtuna përballë tij ka për të qenë edhe më e tmerrshme se kjo që përfshiu PD.
Mazhoranca ka ndezur motorët për zgjedhjet e kreut të ri të shtetit që do të jetë në krye të Presidencës për 5 vitet e ardhshme. Duke lënë të hapur mundësinë se në krye të shtetit shqiptar mund të kemi për herë të parë një zonjë, Rama tha se kriza në PD e bën të vështirë gjetjen e rrugës së dialogut me opozitën e ndaj duhen parë hapësirat për tu konsultuar me qytetarët. Rama nuk përcaktoi kriteret, por nënvizoi se presidenti i ardhshëm duhet të jetë së pari njeri normal.

