"OFL-ja" paditet në Kushtetuese, i dënuari Edlir Hysenaj kërkon shfuqizimin e paketës ligjore
Kushtetutshmëria e aktit normativ të qeverisë për Operacionin Forca e Ligjit pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ka qenë një i dënuar subjekt i këtij ligji që i është drejtuar Gjykatës duke kërkuar shpalljen e paketës si antikushtetuese. Pavarësisht paditësit nëse Kushtetuesja e rrëzon aktin si të paligjshëm efektet shtrihen në të gjitha rastet kur ligji është aplikuar ndaj qytetarëve.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë të martën aktin normativ të qeverisë që pati efektin e ligjit, i njohur ndryshe si paketa e OFL-së.
Ka qenë një subjekt i prekur nga ky ligj, Edlir Hysenaj, i cili pasi ka përfunduar edhe shqyrtimin në Gjykatë e Lartë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e si antikushtetues të aktit normative të qeverisë.
Krahas kërkuesit palë e interesuar në proces është thirrur nga Gjykata edhe Prokuroria e Posaçme, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Në fillim të vitit 2020, kryeministri Edi Rama prezantoi aktin normativ si një nismë ligjore për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Megjithatë, paketa ligjore e OFL-së pati afat të kufizuar dhe prekte personat e dënuar ose të hetuar brenda ose jashtë vendit për krim të organizuar si dhe një listë prej 27 krimesh të tjera të rënda; mes të cilave vrasjet, grabitjet me pasoja të rënda apo shkatërrimet e pronës.
Ligji special fuqizonte strukturën OFL dhe kreun e Policisë së Shtetit për gjurmimin e pasurive të subjekteve dhe sekuestrime në kushtet e emergjencës.
Procesi ndiqej më pas nga Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nga lista prej 255 subjektesh të deklaruar nga OFL, thuajse gjysma u përballën me procese ligjore të sekuestrimit apo konfiskimit të pasurisë.
Deri në qershor të vitit të kaluar u sekuestruan në total 346 pasuri me një vlerë të përafërt tregu prej 3 miliardë lekësh. Megjithatë, vetëm 15 pasuri ose 4 për qind e tyre rezultojnë të konfiskuara me vendim Gjykate.

