"Nuk qenka gjumash kur vjen puna për të shkatërruar PD", Paloka: Iniciatori Rama, i ndihmuar nga Basha

Kriza është ulur këmbëkryq në PD, por cila do të jetë e ardhmja e partisë? Lulzim Basha mblodhi sot, 10 janar kryesinë për të diskutuar për atë që la pas protesta e 8 janarit. Nuk përjashtohet mundësia që të merret vendimi për përjashtimin e zotit Berisha nga partia dhe e deputetëve që e mbështetën.

I ftuar n studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, anëtari i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, Edi Paloka tha se nuk mund t'i përjashtojnë nga partia, pasi Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 e ka shkarkuar Bashën.

Paloka: Nga do na përjashtojnë? Ne i kemi përjashtuar ata. PD është një dhe ka vetëm një grup përfaqësues që është Komisioni i Rithemelimit. Këta të tjerët që janë bunkerizuar në seli përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Mund të përjashtojnë kë të duan, por s'ka asnjë vlerë se çfarë diskutojnë.

Opozita sipas Palokës, sot nuk është ajo që duhet të ishte. Paloka u shpreh se në momentin e parë që zoti Berisha është shpallur "non grata" nga DASH i ka thënë Bashës se ky ishte një akt kundër tij.

Paloka: I thashë Bashës ky është një akt kundër PD, kundër teje i ndërmarrë nga ata grupe që kanë lobuar në DASH për të ndihmuar Edi Ramën. Ky është një akt politik që është bërë pikërisht për këtë punë, që opozita të jetë në këto kushte. E keqja është që Amerika ka interesat e veta, mban qëndrimet e veta, por pas këtyre qëndrimeve e ndoqi linjën dhe ish0kryetari i PD (i referohet Lulzim Bashës). Është ai shkaktari i kësaj situate. Nëse nuk do kishte marrë atë vendim deri në aktin më skandaloz të 8 janarit që hodhi policinë e Ramës kundër demokratëve, të gjitha këto akte vetëm këtë kanë treguar. Ata që nisën të shkatërrojnë PD-në ja dolën me ndihmën shumë aktive të Bashës. Të atij që deri dje e quanin gjumash, nuk qenka gjumash kur është puna për të shkatërruar PD.

Zoti Paloka u shpreh se Ramës, nisur nga situata në të cilën ndodhet PD, i ka ecur strategjia e tij sepse ishte iniciatori, siç ka dalë edhe nga pohimet e DASH, dhe mesa duket pjesë e kësaj ka qenë dhe Basha.

Paloka: Çdo gjë që ka bërë pas 9 shtatorit vetëm për këtë flet. Një njeri që po punon intensivisht për shkatërrimin e PD-së.

Zoti Paloka u shpreh se Basha në 8 vite, për fat të keq mësoi gjithë hilet dhe poshtërsitë e Ramës dhe nuk i përdori kundër Ramës, por kundër demokratëve.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku

EMISIONET