"Nuk hiqet orari", Rakacolli: Muzika influencon në shtimin e kontaktit dhe rrit mundësinë e infektimit

Megjithë lehtësimin e masave anticovid, orari i muzikës ne lokale nuk do të ndryshojë.  

Zëvendës ministra e shëndetësisë Mira Rakacolli thotë se muzika është një motiv për  tu afruar më shumë me njëri tjetrin, ndaj dhe përbën rrezik për përhapjen e virusit.

"Problemi i muzikës është i tillë që muzika në vetvete të bën më të gëzueshëm, të bën më optimist, të afron, të kërcesh me njerëzit që janë aty afër. Kjo është mënyra se pse muzika influencon në shtimin e kontaktit  dhe në shtimin e mundësisë për ta marrë virusin. Aq më tepër që jemi në alert ne nuk mundet që të mendojmë për një shtim të orarit të muzikës për momentin," tha Rakacolli.

Qytetarët duhet të vijojnë të jenë të kujdesshëm ndaj rrezikut të koronavirusit e sidomos ndaj variantit delta i cili po rrezikon botën.  

Në Shqipëri ende nuk ka pasur raste të tilla, e sipas autoriteteve shëndetësore janë mjetet për identifikimin e këtij virusi .

"Që të jemi të sigurt për ta konfirmuar na duhet një konfirmim edhe nga laboratorët jashtë," tha Rakacolli.

Lajmi i mire sipas Rakacollit është se vaksinimi ndaj covid 19 ka ndikim ne imunitetin ndaj variantit Delta.

"Vaksinat mundet që ta parandalojnë rrezikshmërinë e tij," u shpreh ajo.

Deri tani, qytetarët e infektuar me covid nuk kanë pasur një historik udhëtimi.

"Janë teknikët epidemiologë ata të cilët na japin të dhënat në strukturat përkatëse," tha Rakacolli.

Kufizim për hyrjen në Shqipëri do të ketë vetëm nëse situata në vendet e tjera do të përkeqësohet.

"Nëse do të ketë ndryshime të situatës epidemiologjike qoftë në rajon, qoftë në Shqipëri kjo do shoqërohet me një përshtatje të masave," tha Rakacolli.

Aktualisht ne spitalin infektiv është vetëm një pacient, por pavarësisht kësaj kjo strukturë të mbetet në dispozicion te rasteve me covid, ndërsa për sëmundjet e tjera në dispozicion të tyre, është një pavion ne spitalin Covid 3.

EMISIONET