"Një përgjigje për ministreshat…", Çaushaj: Ja çfarë ndodh kur përdor transportin publik këtu
Aktivistja, Rezarta Çaushaj, replikoi nga Kryeministria me dy ministret Ibrahimaj dhe Balluku, ku njëra përcaktoi minimumin jetik për qytetarët e tjetra u sugjeroi të lënë makinat dhe të përdorin transportin publik.
Çaushaj tha ndër të tjera se qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë lek më shumë për një krizë që nuk ka lidhje me ta.
"Dua tu përgjigjem sot dy ministreshave, dua të bëj ca llogari me ta. Ibrahimaj tha se nuk je i varfër po more 130 euro, ndërsa Balluku insiston që ne të kusejmë duke marrë transportin urban dhe lënë makinat. Çfarë do të thotë të jesh një njeri jo i varfër sipas ministres dhe të përdorësh transportin publik.Çfarë ndodh kur përdor transportin publik këtu? Unë duhet të dal në orën 7 nga shtëpia me tim shoq nga Manza në Durrës dhe dua të përdor transportin publik të çoj fëmijët në kopësht. Nuk mundem, nuk ka transport publik për në kopësht. Marr makinën e çoj fëmijën në kopësht pastaj kthehem me tim shoq dhe kuptojmë që ne një makinë kemi.
Kush do të shkojë në punë, unë apo ai? Vetëm njëri. Shkojmë te autobusi në Vorë ose Kamëz, unë marr autobusin, bëj atë segmentin e tmerrshëm ditë për ditë nga dogana te Zogu i Zi. Mbërrij në 8:30 në punë, e lehtësuar që shkova në orar. Nuk e di ai mjafton zonjës ministre që unë humbas mëngjes për mëngjes 2 orë e gjysmë për të shkuar në punë pa folur për kushtet. Transporti publik është për turp, ka 20 vjet që nuk ndryshon. Kemi qeveri që nuk dëgjon, jo vetëm dje, por edhe sot, edhe nesër do jemi dhe duhet të jemi në shesh pasi është e vetmja mënyrë që të na dëgjojnë. Këto nuk janë krizat tona pse duhet të paguajmë për to? Nuk paguajmë asnjë lek për krizën tuaj".

