Një kompani, dy tendera pa garë, Bashkia e Tiranës jep 25.6 milionë lekë për semaforë
Dy tendera të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik i janë dhënë pa garë të njëjtës kompani. Vlera e këtyre dy procedurave arrin në 25.6 milionë lekë dhe të dyja procedurat janë shoqëruar me flamurin e kuq nga Open Data për mungesë konkurrence. Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj vijojnë të prokurojnë miliona lekë nga buxheti i shtetit në tendera, një pjesë e mirë e të cilëve pa garë.
Rasti më i fundit i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik e cila ka zhvilluar dy procedura që kapin vlerën e 25.6 milionë lekëve dhe që janë marrë nga e njëjta kompani.
Institucioni i drejtuar nga Herion Rrapaj ka hapur thirrjen për blerjen e materialeve për mirëmbajtjen e rrjetit semaforik me fond limit 13 milionë e 957 mijë lekë.
Pjesëmarrës në këtë procedurë rezulton vetëm IDK Kontruksion, që pa asnjë konkurrent përballë, me një diferencë shumë të vogël nga fondi i vënë në dispozicion arriti të nënshkruajë kontratën me ofertën e paraqitur prej 13 milionë e 905 mijë lekësh.
Ndërkohë që tenderi tjetër kishte për qëllim blerjen e semaforëve për pika të reja me vlerë 11.6 milionë lekë.
I njëjti fenomen, me një procedurë pa asnjë konkurrent përballë, IDK Kontruksion u shpall fitues për 11 milionë e 598 mijë lekë.
Të dyja këto procedura janë sinjalizuar si problematike nga Open Data me flamurin e kuq me shënimin mungesë konkurrence.
Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka ngritur si një shqetësim serioz procedurat që ndjekin në tendera.
Sipas KLSH-s, një e treta e kontratave janë realizuar pa garë, me vetëm një operator ekonomik pjesëmarrës dhe në shkelje të ligjit.
Madje është konstatuar se tenderat janë shpërndarë në vetëm disa kompani dhe sistemi i vlerësimit nga ana e institucioneve që i ka zhvilluar procedurat ka qenë i pabarabartë.




