Nisin punimet për aeroportin e Vlorës, Pacolli: Na qoftë i mbarë fillimi, do jetë më i bukuri dhe më funksionali i këtyre trojeve
Aeroporti i Vlorës do të ngrihet mbi aerodromin e ndërtuar në vitin 1920. Kryeministri Edi Rama dhe Behgjet Pacolli këtë radhë në rolin e investitorit, inauguruan nisjen e punimeve. Vepra sipas tyre do ti japë më shumë vlerë Kombit por dhe do të ketë ndikim të madh në investime.
Kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli kanë zgjedhur Ditën e Flamurit për të deklaruar nisjen e punimeve në aeroportin e Vlorës.
Madje Pacolli shprehu krenarinë për të investuar në këtë vepër që sipas tij do ti japë rëndësi edhe më të madhe Kombit.
Pacolli: Jam shumë i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre, jam i lumtur që kjo ndodh në vendin tim dhe qytetin që e kam shumë përzemër. Në 20 vitet e fundit nuk kam munguar asnjë 28 nëntor në Vlorë. Jam para kryeministrit që preferoj, me energji për të ndërruar Shqipërinë. Ja keni dalë kësaj pune. Na qoftë i mbarë fillimi i kësaj vepre madhështore. Ju garantoj se në eventin tjetër do avancojmë shumë me punë dhe do vijë dita që sipas kontratës do ta hapim këtë aeroport. Do të jetë aeroporti më i bukur dhe funksional i këtyre trojeve.
Kreu i qeverisë shqiptare ka fajësuar pandeminë për shtyrjen e procesit por dhe faktorë të tjerë.
Megjithatë sipas tij zgjedhja e kësaj zone ka dhe një shpjegim.
Rama: Vlora ka historinë e saj për transportin ajror, këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Në këto gjurmë ne sot fillojmë një histori të re, me një mik të mirë, me një njeri më të shquar të sipërmarrjes sonë. Personalitet që me veprat e tij e ka cuar emrin në shumë vende të botës, çmohet prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë. Kam nderin ta konsideroj mikun tim, bacën Behgjet, për përshirjen në këtë aventurë të përbashkët.
Mesa duket në këto vite vlonjatët e kanë thumbuar jo pak Ramën.
Rama: Për të ardhur deri këtu ka qenë më e vështira, për dreq duhej bërë në Vlorë, mu desh të përballoja të gjithë padurimin e vlonjatëve që dihet se janë kampionët e padurimit në të gjithë universin shqiptar.
Sipas kreut të qeverisë, aeroporti i Vlorës do të jetë në aleancë me aeroportin e Mynihut që është një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror.
Rama: Sot ne jemi këtu jo vetëm me konsorciumin por edhe më një aleancë të aeroportit të Mynihut, që është një nga më të fuqishmit të transportit ajror në botë. Kanë nisur ta monitorojnë projektin që në fillim dhe janë të gatshëm ta marrin aeroportin e Vlorës që në momentin e parë kur do të jetë gati për fluturimet. Kjo aleanca me aeroportin e Mynihut garanton menaxhim të nivelit më të lartë por edhe sinergjinë me aeroporte të tjera.
Ndërkohë, skeptikëve për ndërtimin e aeroporteve të reja në vend, kryeministri Rama u përgjigjet:
Rama: Aeroportet janë fabrika buke sepse aeroportet rrisin të ardhurat e vendit, sjellin konsumatorë në vend. Sa më shumë njerëz vijnë aq më shumë vendi ka mundësi të rrisë shërbimet. Me aeroporte ne rrisim cilësinë e turistëve nëpërmjet parave që shpenzojnë.
Sipas qeverisë, ky investim mbi 100 milionë euro, pritet që të hapë hap 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.
Në nisje të ceremonisë, kryeministri Rama ka publikuar edhe emblemën dhe emërtimin që do të mbaje kjo vepër, e cila do të quhet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
