Gjykata mbyll në qeli zyrtarët e Financave, Gjokutaj në spital, dy të tjerët të qeshur në gjyq
Ish-Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe të akuzuarit tjerë të kësaj çështje Alban Ruli dhe Fatmir Hoxhaj do të mbeten në burg deri në fund të hetimeve. Seanca u zhvillua pa praninë e Arlind Gjokutajt, i cili ka përfunduar në spital pas urdhërit të prokurorisë për arrestimin e tij me akuzën shpërdorim detyre.
Ish-Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj ka përfunduar në spital pas arrestimit me urdhër të prokurorisë. Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, u paraqitën vetëm dy zyrtarët e tjerë.
Të akuzuarit nga prokuroria për shpërdorim të detyrës, nuk i kursyen buzeqeshjet në sallën e gjyqit.
Mbrojtësit ligjorë Genc Gjokutaj si dhe Sokol Hazizaj i kërkuan gjykatës kohë për tu njohur me aktet e dosjes.
Seanca rifilloi pas 30 minutash dhe në fund gjyqtarja Rexhina Merlika caktoi masën arrest në burg për tre të pandehurit, deri në fund të hetimeve.
Sipas prokurorit Ndini Tavani tre të akuzuarit kanë shkelur ligjin duke pranuar shpërblimin Ilir Thanës, në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.
Alban Ruli në rolin e përmbaruesit ka bërë rivlerësim të dëmshpërblimit për një pronë në emër të Thanës edhe pse ky i fundit nuk rezultonte zotërues pasi ajo iu kthye ish-pronarit në vitin 1995.
Nga gushti i kaluar deri në tetor 2022 , Ministria e Financave, ka pranuar për të ekzekutuar titullin përmbarimor duke derdhur në llogari të Thanës dhe motrës së tij shumën prej 48 milionë lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 980 milion lekësh të vjetra do të kalohej më vonë
