Rama: PS nuk do bëhet mbulesë për asnjë ministër, deputet apo drejtor nëse drejtësia kërkon hesap prej tyre
Nga Kongresi Edi Rama ka paralajmëruar se Partia Socialiste, nuk do ti dalë në mbrojtje askujt për të cilin drejtësia do të kërkojë hetim. Madje paralajmëroi dhe një fshesë në administratë për të larguar, siç tha ai, të paaftët. Kryesocialisti nënvizoi se nuk do të pranohen më punësime me mik.
"Opozitën nuk e zgjedhim vetë, e zgjedh populli dhe në respekt të gjithë atyre që e kanë zgjedhur PD ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit".
Kryesocialisti Edi Rama në fjalën e tij në Kongres paralajmëroi se në këtë katër vjeçar të qeverisë do ti kushtohet vëmendje drejtësisë.
Madje ai paralajmëroi se selia rozë nuk do të marrë në mbrojtje askënd për të cilin prokuroria do të nisë çështje.
"Mandati i tretë përputhet në kohë me një kohë të re të drejtësisë në Shqipëri dhe flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë drejtor, për asnjë shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kam thënë dhe më parë sepse e kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe e përsëris dhe sot, partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë por mban përgjegjësi për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: "Ik sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd sepse PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit nga ne por është nismëtarja, është garantja, është mbështetësja e reformës në drejtësi, e institucioneve të reja të drejtësisë dhe është prijësja e luftës për barazinë e të gjithëve përpara ligjit".
Paralajmërim Rama kishte dhe për administratën si dhe për ata që kërkojnë të fusin mik për tu punësuar në shtet.
"Duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë kritereve të konkurrencës dhe meritës. Kjo në radhë të parë ju takon të gjithëve ju që jeni të pranishëm këtu. Unë nuk kam asnjë motiv më të madh se për të dhënë edhe më shumë se deri më sot nga vetja sesa ky, i çlirimit të Ministrive, institucioneve, agjencive, të departamenteve, të bordeve nga tentakulat e interesave që mbrojnë medemek në emër të partisë apo të elektoratit, por në fakt godasin, cënojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS në shërbim të popullit. Kur të mi gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore hajdeni dhe më kërkoni vend për kushërinjtë dhe krushqit tuaj. Flamuri i PS nuk është mbulesa e askujt dhe askush nuk ka të drejtë ta falë lart e poshtë si mbulesë për qoka dhe për punët e shtëpisë së vet".
Fjalimit të Ramës nuk mund ti mungonin as batutat.
"Njerëzit nuk kanë faj që politika u duket si punë politikanësh ndërsa politikanët si punë hajdutësh dhe hajvanësh."
Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, socialistët miratuan dhe Komisionin, i cili do të organizojë zgjedhjet në strukturat vendore të kësaj force politike.
