Rama "flamurtar" i BE-së: Qeveria tashmë në një shkallë të re, barrën më të madhe e kam unë
Një ditë pas vendimit historik të Brukselit për të çelur negociatat e anëtarësimit, në godinën qeveritare u ngrit flamuri i Bashkimit Evropian. Në fjalën e rastit, kryeministri Rama tha se Qeveria që ai drejton tashmë ndodhet në një shkallë të re, dhe barrën më të madhe e ka vetë ai si kryeministër. Ndërkaq Rama nuk harroi të lëshonte sërish akuza ndaj opozitës për qasjen e saj mbi këtë proces.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit të BE-së në Kryeministri, shefi i ekzekutivit shqiptar Edi Rama u shpreh se qeveria nuk do të jetë mburoja e askujt, sidomos në raport me krimin.
Ai tha se ky është një moment për ta çuar qeverisjen në një shkallë tjetër dhe se barra më e madhe e detyrimeve bie mbi qeverinë e tij tashmë.
Rama: Të jeni të bindur se sa kohë që do të jem unë këtu, qeveri nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj dhe ju nuk do të ndiheni vetëm në luftën kudër krimit të organizuar. Ngritja e flamurit të Be-së do të thotë ngritja e frymë kritike dhe qeverisjes në një shkallë të re. Kjo frazë e re kërkon një mbrojtje të re të gazetarëve si zëdhënës publik dhe prandaj do të angazhohemi që të përsosim gabimet tona dhe të angazhohemi që të zgjidhim hallet e mëdha të tyre. Flamuri evropian i ëndrrave që do të ngremë, barrën më të madhe të detyrimeve e vë mbi qeverinë që unë drejtoj, prandaj edhe më shumë sesa të gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe probleme, por edhe zgjidhja për të gjithë. Prandaj na takon të jemi zgjidhja.
Rama sulmoi edhe PD-në e Berishës dhe qasjen e tij ndaj ndërkombëtarëve.
Ai tha se nuk mund të mendohej hapja e negociatave pa ndërkombëtarët dhe shtoi se një gjë e tillë lakohet vetëm nga ata që flasin për sovranizëm katundaresk.
Rama: Kjo arritje historike nuk mund të mendohej pa partnerët tanë ndërkombëtarë, po aq sa mund të mendohej reforma në drejtësi pa aleatët tanë strategjikë. Ideja se Shqipëria mund të bëjë edhe pa ata, se mund të nxjerrë dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundares dhe t’i hipin kalin të Xhike Qamilit dhe për ta katandisur vendin në një leckë që fshin njollat e mëkateve të tyre, është thjeshtë shëmbëlltyra e marrëzisë ballkanike dhe që bie ndesh me atë që përfaqëson BE-ja.
Bashkimi Evropian të martën çeli procesin e negociatave me Shqipërinë, duke zhvilluar edhe konferencën e parë ndërqeveritare. Për kryeministrin Edi Rama, tani nis edhe puna transformuese për vendin.
Në Bruksel u vu në dukje mungesa e përfaqësuesve të opozitës, por teksa Rama e kaloi me një përgjigje ironizuese se nuk dinte kë të thërriste, Euro komisioneri Oliver Varherlyi theksoi se që Shqipëria të përmbush kushtet, duhet bashkëpunim me opozitën.

