Ngjarja në Gjykatën e Apelit/ Sefa: Kr*mineli hyri në tempullin e drejtësisë, politika po e kthen gjyqësorin në armik të qytetarëve
Juristi Indrit Sefa, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, komentoi ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, duke e cilësuar një tronditje të madhe dhe duke paralajmëruar për pasojat e perceptimit të gabuar të sistemit të drejtësisë si “armik” i qytetarëve.
" Është një tronditje shumë e madhe për secilin prej nesh. Kushdo nga ne mund të ishte në vend të gjyqtarit. Një kriminel gjakftohtë i cili ka hyrë në tempullin e drejtësisë dhe ka marrë jetë njerëzish.
Mund të ishte një avokat, prokurorë e kështu me radhë. Nuk është thjesht çështje të elementëve të sigurisë në Gjykata, është çështje e mentalitetit të shoqërisë, çështje e një politike shumë të ashpër dhe agresive për të identifikuar sistemin e drejtësisë si fajtorin më të madh të të gjithë problematikave të qytetarëve dhe është kjo politikë e cila i orienton qytetarët shqiptarë për ta parë gjyqësorin dhe magjistratët si armiqtë e tyre.
Duke e parë gjyqtarin, prokurorin si armik, qytetarët janë të prirur të krijojnë ngjarje të tilla kriminale.
Politikanët tanë dalin e bëjnë ligje nga më të disfavorshme për qytetarët. Bëjnë ligje që janë në kundërshtim të hapur me të gjitha rregullat dhe normat morale të një shoqërie demokratike.
Kur vjen puna i kërkon llogari gjyqtarit që pse i zbaton këto ligje", u shpreh Sefa.

