Nga India në Gjirokastër, qyteti me investime dhe itinerare të reja për turistët
Shqipërinë e identifikon me Nënë Terezën.
Së bashku me familjen Anja ka udhëtuar nga India e largët për të njohur vendin e shenjtores shqiptare.
Gjirokstra ishte një nga ndalesat.
“Kur dëgjova për Shqipërinë gjëja e parë që më erdhi ndërmend ishte Nënë Tereza. Ndihem me fat që po vizitojmë këtë vend të bukur me njerëz të bukur. E dua këtë vend, është qetë dhe i pastër. Kjo është dita e tretë, bashkë me familjen do të qëndrojmë 5 ditë,” tha ajo.
Në qytetin e gurtë shkelin turistë nga e gjithë bota.
Nga fillimi i vitit e deri në qershor Gjirokastrën e kanë vizituar rreth 35 mijë turistë.
Gjermanët dhe holandezët janë më të shumtë në numër.
"Kemi shërbime të ndryshme si off roude, rrugët jo të shtruara ku përfshihen Zagoria, Bredhi i Odovës dhe disa itinerare të tjera, klasa gatimi ku mësojnë si të gatuajnë dicka autentike gjirokastrike. Kemi klasën e drurit, xhiron e thjeshtë nëpër qytet dhe shumë itinerare të tjera."
Në qytet atraksione ka shumë por turistët nuk qëndrojnë gjatë.
Zgjatja e ditëve të qëndrimit mbetet ende sfidë.
"Qëllimi që ne jemi krijuar është që Gjirokastra të bëhet baza e jugut dhe kur vizitorët të vijnë këtu të përdorin qytetin tonë për të qëndruar dhe rrethinat për ti shijuar dhe vizituar. Domethënë synohet rritja e ditëve të qëndrimit në qytet."
Rritja e numrit të vizitorëve vit pas viti ka nxitur çeljen e bizneseve që në fokus kanë turizmin.
Në qytet është rritur numri i dyqaneve të vogla ndërsa në zonat përreth janë shtuar bujtinat.
"Si në zonën historike të Gjirokastrës ashtu dhe në lagjet karakteristike , por edhe në pjesën e poshtme të qytetit janë celur njësitë e akomodimit. Pra turizmi po nxit celjen e bizneseve kryesisht në këtë drejtim."
Gjirokastra, pasuri që mbrohet nga UNESCO, është një ndër qytetet më të vizituara në jug të vendit.

