Nga harta tek kontrolli çdo pëllëmbë tokë, plani si do ndalojë policia ndërtimet pa leje

Nga harta tek kontrolli çdo pëllëmbë tokë, plani si

Ministri i punëve të Brendshme, Bledi Çuçi ditën e sotme u shpreh se do të ketë një plan të ri përsa i përket mbrojtjes së territorit nga ndërtimet pa leje.

Çuçi shprehet se policia do konsiderohet si një e vetme në kuptimin e vendosjes kontrollit mbi territorin dhe do ketë përgjegjësinë për çdolloj vepre penale që ndodh në territor.

"E gjithë përgjegjësia për çdo lloj vepre penale që ndodh në territor, duhet t’i bjerë dhe do ta ketë siç e ka në fakt me ndryshimet ligjore që kemi bërë dhe ndryshimet strukturore organizative që kemi bërë, por duhet ta ketë dhe në realitet tashmë, Policia e Shtetit. Policia e Shtetit duhet të kontrollojë çdo centimetër katror të territorit të Shqipërisë. "

Ai u shpreh se do krijohen ekipe të përbashkëta që përgjigjen për mbrojtjen e mjedisit.

"Do krijohen ekipe të përhershme të përbashkëta midis punonjësit, që ka në ngarkim një territor të caktuar të Republikës së Shqipërisë, me inspektorin që përgjigjet për ndërtimet pa leje, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e mjedisit, për inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e pyjeve."

Çuçi shprehet se punonjësit e policisë janë përgjegjës për çdo shkelje dhe dhunim të territorit.

"Duke filluar që sot punonjësi i policisë do jetë përgjegjës për çdo shkelje dhe dhunim të territorit në Republikën e Shqipërisë, për sa i takon ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, mbrojtjes së pyjeve.

Shqiptarët duhet të njohin Policinë e Shtetit si garantin e tyre, në lidhje me çdo dhunë, krim që bëhet; kundër personit, kundër pasurisë, e kështu me radhë, gjithë ajo mori e nene të Kodit Penal. Ashtu edhe për krime që ndodhin në territor në lidhje me dhunimin e territorit: nga ndërtimet pa leje, krimet e mjedisit dhe pyjet në Shqipëri."

Çuçi e bëri të qartë që të gjithë dhunuesit e territorit do të përballen me ligjin.

"Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm. Kushdo qoftë sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë, nuk do të tolerohet më dhunë mbi territorin. Shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtime pa leje."

Ministri në fjalën e tij u shpreh se kontrolli i territorit do të bëhet në mënyrë të koordinuar.

"Në mënyrë të koordinuar, jo spontane, siç ka ndodhur deri tani që vjen një telefon dhe o burra të nisemi, por, të planifikuar, do të kontrollojnë të gjithë territorin dhe do marrin masa për ndërhyrjen, ndalimin dhe për zhbërjen e të gjithë parregullsive që do të ndodhin në territor. Pra inspektorët do të jenë pjesë e Komisariateve, do jenë atje me inspektorët e Policisë për çdo cm2 të territorit të Shqipërisë. Këtu do të burojë dhe përgjegjësia pastaj. "

Si do të jetë plani

Ministri u shpreh se do të ketë një plan të qartë mbi të cilin do të veprohet.

"Do ketë një plan të qartë, i cili buron që nga detyrimi që ka çdo organ, kryesisht njësi vendore, bashki, që do dorëzojë çdo leje ndërtimi që del, pra që nga bashkia e deri te Komiteti shtetëror i rregullimit të territorit; - çdo leje ndërtimi që del, do të shkojë me detyrim te Policia e Shtetit, në momentin që të zbardhet. Policia e Shtetit duhet të ketë të gjithë hartën e lejeve të ndërtimit që jepen në Republikën e Shqipërisë. "

Më pas territori do të ndahet sipas ekipeve.

"Në bazë të kësaj lejeje do ndajë territorin sipas ekipeve që sapo thashë dhe çdo ekip do jetë përgjegjës për një pjesë të territorit, në bazë të kësaj do të bëhet plani i kontrollit. Në zonën “x” janë dhënë 15 leje, janë 22 leje në proces zbatimi, këtë hartë duhet ta kemi të qartë; ku janë, si janë, me të dhëna, me të gjitha detajet. Inspektori e ka përpara këtë dhe shkon atje dhe kontrollon çdo ditë, çdo ditë. "

Çuçi u shpreh se duhet të fillojë organizimi për këtë sistem të ri.

Rama: Burg për inxhinierët që ndryshojnë projektin në kundërshtim me ligjin

Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se inxhinierët do të shkojnë në burg nëse bëjnë ndryshime në projekt sipas dëshirës së investitorit në kundërshtim me ligjin.

"Kini parasysh që me ndryshimet ligjore penalizohet i gjithë zinxhiri, pra, nuk lejon më ligji që ti je inxhinieri konstruktor dhe i bën sipas dëshirës së investitorit ndryshime projektit, për të shtuar kate e volume, sepse shkon ti në burg. Përkundrazi, në momentin që ti konstaton që investitori po bën diçka të tillë, je ti që duhet të denoncosh direkt në polici. Po kështu arkitekti, po kështu mbikëqyrësi i punimeve duhet të lajmërojnë policinë në momentin që shikon që tek ajo godinë po ndodh diçka, sepse është edhe ai pjesë."

EMISIONET