Nga Durrësi në Ankona, shqiptari kapet me 24 kg heroinë të fshehur në makinë

Mediat italiane kanë përcjellë sot lajmin se një 50 vjeçar shqiptar është ndaluar në portin e Ankonës me akuzën e trafikut të drogës tip heroinë.
Në sediljen e një automjeti me të cilin ishte nisur nga Shqipëria drejt Italisë u gjetën të fshehura rreth 24 kg heroinë. Droga ishte konfeksionuar në 3 pako e sipas Guardia di Finanza italiane do të kapte vlerën e mbi 1 milionë euro.
Shqiptari ishte nisur nga porti i Durrësit e gjatë marrjes në pyetje nga policia kufitare mbi udhëtimin e tij në Ankona, ka dhënë përgjigje majft të përgjithshme që kanë çuar në dyshimet e Autoriteteve italiane e në kontrollin më të detajuar të automjetit.
Shqiptarit i është zyrtarizuar urdhri i ndalimit e automjeti i tij tip Mercedes është vënë nën sekuestrim.
Sipas policisë së Portit të Ankonës, ky është një nga sekuestrimet më të mëdha të heroinës që është kryer nga kjo strukturë gjatë viteve të fundit.
