"Nesër seancë "e nxehtë" parlamentare", Balla: Deputetët e PS do zbarkojnë në terren, komunikojmë me qytetarët
Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për mediet bëri me dije se pas seancës së nesërme Parlamentare deputetët e PS do të jenë në terren për të komunikuar me qytetarët lidhur me situatën e krijuar nga rritja e çmimeve.
Balla: Nesër do të kemi në Kuvend një mocion me debat të propozuar nga Grupi Parlamentar i PD, nga zoti Alibeaj. Një debat që do zgjasë tre orë, ku natyrshëm që secili prej grupeve parlamentare do të ketë peshën që i takon në këtë debat.
Ajo që është e rëndësishme për ne është që debatin, konsultimet t'i bëjmë direkt në terren me njerëzit që na kanë dhënë besimin. Me të mbaruar seanca të gjithë deputetët e PS do të jenë në terren për të komunikuar me njerëzit dhe për të ndjekur zbatimin me përpikmëri të të gjitha masave dhe natyrshëm implementimin e paketës së rezistencës.

