Nënkryetari i Bashkisë për “Ora News”: 10 fshatra të izoluar dhe pa drita në Fushë-Arrëz. 19 me rrugë të bllokuara nga bora
Gjatë fundjavës që lamë pas Fushë-Arrëzi u përball me një mot të keq dhe reshje të dendura të borës.
Në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News” nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit Mikel Qafa theksoi se vijon puna për zhbllokimin e segmenteve rrugore të bllokuara nga bora.
“Reshjet kanë ndaluar që në mesdiutën e djeshme. Situata është më e menaxhueshme për shkak të motit të përmirësuar, por po vijon puna për zhbllokimin e rrugëve në disa zona.
Kemi 19 fshatra të bllokuar nga bora, ndërsa kemi 10 fshatra të izoluar dhe pa energji elektrike, dhe pikërisht këtu jemi duke punuar. Shpesh është i pamundur komunikimi me banorët”, theksoi Qafa.
Gjatë natës në rrugë punuan mjete të emergjencave, një borëpastruese e Bashkisë dhe një fadromë e ofruar nga një subjekt privat.
Në Qafën e Sharit reshjet e borës mbi 2 metra. Gjatë mbrëmjes mbërritën ushqime për familjet ne vështirësi nga emergjencat civile.


