Nën ethet e maturës, gjimnazistët: Provimi me kamera e në salla të mëdha na rëndon psikologjikisht

Më pak se tre javë i ndajnë gjimnazistët nga provimi i parë i Maturës Shtetërore. Thonë se po përgatiten e shprehin merakun se zhvillimi i testimeve në salla të mëdha e me kamera do t`i rëndojë psikologjikisht.

Provimet e maturës Sonia po i pret me ankth e stres.

"Jam goxha e stresuar, ky presioni para provimeve është i paevitueshëm."

Përgatitjet i ka nisur muaj më parë por këto ditë të fundit ka shtuar orët e studimit.

"3-4 orë. Mundohem të kem një balancë."

Elta ndihet më e qetë dhe e sigurtë.

"Nuk e kam marrë me shumë stres, mendoj që do të dal mirë."

Jonida dhe Samira thonë se përveç përgatitjeve në shtëpi, orë të gjata konsultimesh zhvillojnë edhe në gjimnaz.

"Përgatitjen këto ditët e fundit po e përqëndroj te Biologjia dhe Matematika."

Të katërta janë nxënëse të shkëlqyera të gjimnazit "Isa Boletini" në Tiranë.

Nën ethet e maturës, gjimnazistët: Provimi me kamera e në

Pritshmëritë për provimet i kanë të larta, por thonë se zhvillimi i tyre nën survejimin e kamerave dhe në salla të mëdha do i rëndojë psikologjikisht.

"Ai stresi i provimeve sikur shtohet."

"Ndikon pak te psikologjia e nxënësit."

Elta e Jonida synojnë të veshin përparësen e bardhë. Ëndrra e tyre është mjekësia.

"Është më e vështirë por me punë arrihet."

"Mjekësia ishte dëshira ime dhe e familjes."

Stomatologjia është synim i Samirës.

"Është degë e Mjekësisë por në të njëjtën kohë edhe pak biznes."

Ndërsa Sonia mendon se programet e Informatikës do e integrojnë më shpejt në tregun e punës.

"Ka një të ardhme të sigurt."

I dinë mirë vështirësitë që ka Shqipëria, por thonë se as largimi nuk është zgjidhje.

Janë të vendosura për të kontribuar në vendin e tyre.

"Kudo që të shkosh do të kesh vështirësi. Pse mos të japësh kontributin në vendin tënd?"

"Po nuk e ndryshuam ne këtë vend, kush do ta bëjë?"

Për të arritur rezultate të larta krah kanë drejtuesit dhe mësuesit e gjimnazit "Isa Boletini".

Nën ethet e maturës, gjimnazistët: Provimi me kamera e në

"Që të kemi rezultate shumë të mira në Maturën Shtetërore bëjmë një parapregatitje kryesisht me ngritjen e komisionet ndërlëndor duke ndërtuar me saktësi jashtë orarit mësimor edhe pjesën e konsultimeve."

"Pjesëmarrja është shumë e mirë, oraret zbatohen me përpikmëri. Punohen modele të testeve."

Provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen përgjatë muajit qershor.

Në datën 1 qershor gjimnazistët do të testojnë njohuritë e tyre në Gjuhën e Huaj, më pas në Gjuhë-Letërsi, Matematikë ndërsa lënda me zgjedhje do të jetë provimi i fundit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

matura shteterore 2023 provimet e matures

EMISIONET