Në NATO falë Berishës? Rama: Më vjen një i papërmbajtur gaz. Kur të kthehemi, diskutojmë në klubin e katundit
E ndërsa nuk po merr dot dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE teksa ka hyrë në mandatin e tretë si kryeministër, Edi Rama nuk ndihet fort komod kur i evidentohet fakti se me qeverinë e Berishës Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe liberalizoi vizat.
Në një bashkëbisedim me gazetarët në Berlin, ai u shpreh se vendi u bë pjesë e Aleancës falë SHBA dhe jo Berishës.
Rama: Mos bëhemi për humor as ju as unë. Këto janë gjëra që nuk ja jep Shqipërisë një person qoftë ky i quajtur qoftëlarg apo qoftëafër. Janë ngjarje që lidhen me vullnete të tjera, vullnetet e vendeve. Po të ishte puna për negociatat në raport me mua dhe Shqipërinë negociatat do ishin hapur ka nja 3 vjet a 4. I kemi merituar me kohë. Fakti që nuk janë hapur formalisht nuk lidhet me mua apo me ne, lidhet me ata. Kur më thoni kush e futi Shqipërinë në NATO më vjen një i papërmbajtur gaz. Shqipërinë në NATO e futën SHBA.
Ndërkohë presidenti Meta foli për incineratorët, duke hamendësuar se të arrestuarit deri tani për këtë çështje kanë pasur mbrojtje politike.
I pyetur nëse ka informacion për këtë, Rama tha se Berlini nuk është vendi i duhur për këto tema.
Rama: Janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët, kur të kthehemi në katund do ti diskutojmë në klubin e katundit ku ju do të mblidheni bashkë me mua dhe do të flasim për këtë punë.


