Në mbledhje me bukë e shkopinj, deputetët PD në tarracë duke ngrënë në orën e mbledhjes së Bashës
Në një kohë që duhet të ishin duke diskutuar për aksionin politik të këtij viti, anëtarët e kryesisë së PD-së të thirrur nga Basha në një mbledhje u shfaqën duke konsumuar ujë dhe ushqime. E një kohë që situata agravoi me hedhjen e gazit lotsjellës brenda ambienteve të saj, deputetët dalin të gjithë në tarracë të përlotur dhe me shkopinj në dorë.
Zhvillimet në selinë e partisë demokratike do të nisnin që në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Rreth orës 8 të mëngjesit Lulzim Basha u pa të futej në godinë e PD-së.
Pas tij kanë shkuar njëri pas tjetrit dhe krerë të degëve të PD-së dhe anëtarë të kryesisë e partisë demokratike, makinat e të cilëve zunë pjesën më të madhe të oborrit të PD-së.
Kjo lëvizje u cilësua dhe si skenar për të penguar grumbullimin e protestuesve te porta kryesore e selisë.
I fundit që do të merrte pjesë në mbledhje ishte deputeti Roland Bejko, por që nuk arriti të futej dot në seli pasi u pengua dhe u largua me forcë nga protestuesit që kishin filluar të mblidheshin aty.
Më pas në seli do të vinin dhe furgonët me ujë dhe ushqime për pjesëmarrësit.
Ndërkohë që nuk u kuptua asgjë nga ajo çfarë po ndodhte brenda selisë deri sa në tarracë do të shfaqeshin disa prej deputetëve duke konsumuar ushqimin e sjellë.
Dhe pas agravimit të situatës në PD ku u shënuan dhe përplasje fizike dhe ku u hodh gaz nga brenda ambienteve të saj, të gjithë personat që ishin brenda me Lulzim Bashën dolën sërish në tarracë.
Por edhe vetë deputetët u shfaqën me shkopinj në duar, ndërsa nuk dihet a ishin dhe ata pjesë e dhunës ndaj protestuesve që kërkonin të mësynin selinë.
Ndërkohë që e vetmja thirrje ishte ajo për policinë që të vinte të shpërndante protestuesit.





