"Në letra sistemi perfekt"/ Karanxha: Të burgosurit kalojnë kohën pa programe, vetëm izolim dhe rutinë

Në emisionin “Drejt” në “Ora News”, i ftuar ishte ish-prokurori Ervin Karanxha, i cili foli për gjendjen e sistemit penitenciar dhe realitetin brenda burgjeve shqiptare, me fokus te burgu 313 dhe mungesa e programeve rehabilituese.

Ai u ndal te fakti se, sipas tij, në dokumente sistemi paraqitet i rregullt, por në praktikë të dënuarit nuk përfitojnë programe të mirëfillta dhe kalojnë ditën pa aktivitete konkrete.

"Në burgje mungojnë programet reale të rehabilitimit. Të dënuarit qëndrojnë shumicën e kohës në qeli ose bëjnë vetëm lëvizje të kufizuara, pa një proces të vërtetë risocializimi."-tha ai.

Sipas tij, një tjetër problem i rëndësishëm lidhet me trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, ku shpesh mungon ndjekja e specializuar dhe rastet nuk menaxhohen siç duhet.

"Të dënuarit me probleme psikike duhet të trajtohen nga staf i specializuar. Në shumë raste kjo nuk ndodh dhe situatat trajtohen në mënyrë të përgjithshme, pa standardet e nevojshme."-shtoi ai.

Ai shtoi se sistemi penal ka nevojë për ndërhyrje të thella, si në infrastrukturë ashtu edhe në burimet njerëzore, duke nisur nga rritja e kapaciteteve dhe përmirësimi i kushteve të punonjësve të burgjeve.

Në fund u theksua se problemi kryesor mbetet diferenca mes asaj që parashikon ligji dhe asaj që ndodh realisht në terren, ku rehabilitimi mbetet ende i paplotësuar.

NDIQNI EMISIONIN "DREJT" NË ORA NEWS:

EMISIONET