"Ne jemi opozita e vërtetë", kandidati i Berishës në Rrogozhinë: Banorët janë të etur për ndryshim
Sali Berisha prezantoi sot në Rrogozhinë kandidatin e "Shtëpisë së Lirisë", Hekuran Xhani i cili do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Kandidati Xhani u shpreh se kjo është një ditë e veçantë pasi shënon fillimin e fushate gjatë së cilës do kuvendojnë në çdo shtëpi me qytetarët të cilët e kanë humbur shpresën se Shqipëria mund të ecë në rrugën e demokracisë.
Xhani: Ne kemi një mazhorancë që në sajë të kontrollit, parasë dhe lidhjeve okulte mendon se është e plotfuqishme se do të ketë përjetësisht pushtet ndaj qytetarëve shqiptarë. Paaftësia, servilizmi i kryetarëve të emëruar nga Rma, korrupsioni, abuzimi me fondet i ka kthyer bashkitë e sotme në instrumente të qeverisë Rama. Ne e dimë shumë mirë se çdo të thotë të jesh pjesë e një familjeje me halle. Qytetarë të Rrogozhinës e dinë mirë të gjithë se si u shpërndanë fondet e tërmetit.
Koalicioni "Shtëpia e Lirisë" përfaqëson opozitarizmin e vërtetë, opozitarizmin që do të sjellë ndryshimin. Fitorja jonë do t'i paraprijë fitoreve të tjera për rrëzimin e sistemit monist të instaluar në të gjithë Shqipërinë. Unë jam një prej jush dhe i tillë do të mbetem. Kam marrë një mision dhe së bashku do t'i takojmë të gjithë, do të shpalosim ide dhe do dëgjojmë me kujdes programin e qeverisjes që kemi përgatitur, do ta përmirësojmë bashkë që të jetë sa më i realizueshëm. Banorët janë të etur për ndryshimin. Koalicioni është i etur për fitore, kemi entuziazmin që sjell besimin në fitore.

