Në detyrim paraqitje për dosjen ''Veliaj'', biznesmeni i vilave të Qerretit, Gentian Sula në SPAK

Biznesmeni, Gentian Sula, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, SPAK në respektim të masës detyrim paraqitje ku emri i tij përmendet në dosjen "Veliaj".

Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës.

Ndaj tij GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje. Sipas vendimit të gjykatës Sula duhet të paraqitet në SPAK  të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, në orën 14:00.

Lidhja e Sulës me Veliajn sipas Dosjes së SPAK

Gentian Sula, është pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’. Lidhja e të cilit me Veliaj sipas SPAK, fillon që në momentin kur kryebashkiaku i sotëm mbulonte detyrën e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. 

Koha kur Veliaj blen një banesë në bllokun rezidencial Kodra e Diellit në Tiranë. Bllok banimi që është në pronësi të Gentian Sulës.

Ku fill pas këtij momenti, Veliaj, asokohe në detyrën e Ministrit të Punës, emëron si zv/ministre bashkëshorten e biznesmenit Gentjan Sula.

Marrëdhënie sipas SPAK e cila është e pandarë edhe në vazhdim. Edhe gjatë kohës kur Veliaj zgjidhet si kryetar i Bashkisë Tiranë. Koha kur shoqëria ‘Agi Kons’ me pronar Gentian Sulën fillon dhe fiton leje të pafundme ndërtimi.

Leje të cilat sipas SPAK, i kthehen në shpërblim Veliajt në formën e vilave në bregdet.

Sipas SPAK, Veliaj posedon 3 vila në fshatin rezidencial Qerret në Kavajë  të ndërtuara nga shoqëria ‘Agi Kons’ në pronësi të biznesmenit Gentian Sula.

Një nga vilat posedohet nga vëllai i tij, një vilë e ka vetë Veliaj dhe një të tretë e ka shembur për të krijuar hapësira shtesë.

Sipas SPAK shkuarja te këto vila dhe lidhjet e çiftit Veliaj-Xoxa, me biznesmenin Gentian Sula kanë ardhur pas denonncimit të bërë nga shtetasi me emrin Nesti Angoni.

Emri i të cilit duket një krijim fiction i vetë SPAK, për të ruajtur të paprekur identitetin e tij. Ai i cili ka treguar edhe fakte të tjera rreth Erion Veliaj dhe lëvizjeve që kanë kryer familjarë të tij të ngushtë.

Kjo lidhje klienteliste midis Gentian Sulës dhe Erion Veliaj si zyrtar publik sipas SPAK është shoqëruar edhe me tenderë të shumtë të cilët kanë shkuar në favor të kompanisë së ndërtimit në pronësi të biznesmenit.

I cili gjatë kësaj kohe ka fituar tenderë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit.

Si në infrastrukturën arsimore deri te punët publike, që përkthehen në miliona euro fonde të tenderuara nga Bashkia Tiranë.

EMISIONET