Ndotja në lumin Shkumbin arrin nivele alarmante, banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme
Ndotja e lumenjve dhe përrenjve në vendin tonë vijon të jetë një shqetësim i madh.
Këto pamje vijnë nga Lumi Shkumbin në Elbasan, ku mbetjet janë të shpërndara përgjatë shtratit të tij si dhe përroit të Zaranikës.
Banorët që jetojnë pranë këtyre zonave të ndotura kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për largimin e mbeturinave.
"Ne e kemi shqetësim të madh, se vijnë kalamajtë dhe ndezin zjarrin dhe vjen tym i keq sa nuk durohet," thotë banori.
Përgjegjës të ndotjes sipas Inspektoriatit të mjedisit janë bizneset dhe qytetarët e pandërgjegjshëm.
"Në të vërtetë njerëzit po sillen në mënyrë mizore me këtë natyrë të bukur," tha Xhevahir Kapllanaj nga Inspektoriati i Mjedisit në Elbasan.
Për specialistët e mjedisit ndotja e lumit Shkumbin është shqetësuese sepse të gjithë fshatrat që gjenden përgjatë rrjedhës së lumit e përdorin ujin për të vaditur tokat bujqësore si dhe për bagëtitë ndaj rreziku për shfaqjen e problemeve është i pranishëm.
"Hedhja e mbeturinave në lumin Shkumbin, si ato që vijnë nga ndërtimet po sidomos këto urbane janë një problem që jo vetëm ndikon në shëndetin e njerëzve, por e keqja është që ajo prish edhe imazhin e Shqipërisë," tha Ahmat Mehmeti, specialist mjedisi.
Në sezonin turistik që tanimë ka nisur në Shqipëri, ndotja e lumenjve shtohet ndjeshëm për shkak të rritjes së aktivitetit nga bizneset.

