Tragjike në Fier, fëmija 3 vjeç ndërron jetë në një kopsht privat, dyshohet se është mbytur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier ditën e sotme, 7 janar 2022.
Një fëmijë vetëm 3 vjeç humbi jetën në një kopësht privat "Flatrat e Dijes” në zonën e quajtur “Autogrilla”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, informon policia e Fierit.
Gazetarja Inelda Vallja informon se ai është dërguar në spital nga edukatoret por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Fëmija është konstatuar me një shenjë hematome në fyt dhe se në spital kishte mbërritur i vdekur.
"Takova doktorin dhe më tha se djali ka ardhur pa shenja jete. Djalin nuk e shpëtuam. Më tha kishte një shenjë në grykë. Duam drejtësi" thotë daja i fëmijës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së fëmijës.
Trupi i pajetë është dërguar në morg dhe pritet të jetë ekspertiza mjeko ligjore që do të përcaktojë shkaqet.
Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të kopshtit pasi vdekja ka ndodhur në ambientet e brendshme të tij.



