Sulmet ndaj drejtësisë, BE dha 50 mln euro në 4 vjet, ndërhyrjet në gjyqësor vazhdojnë

SHBA dhe BE kërkojnë më shumë nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Në një konferencë të organizuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë në Tiranë, përfaqësuesi i Bashkimit Europian tha se ndërhyrjet në gjyqësor vazhdojnë ndërsa kujtoi se në katër vitet e fundit janë shpenzuar 50 milionë euro në ndihmë të reformës. Ndërkaq përfaqësuesi i Ambasadës amerikane u shpreh se sistemi i ri i drejtësisë duhet të shfrytëzojë mundësitë që i janë dhënë për ti shërbyer qytetarëve.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kujtojnë institucioneve shqiptare investimin e tyre për reformën në drejtësi dhe kërkojnë që rezultatet e saj të vazhdojnë

"Gjatë 4 viteve të fundit kemi shpenzuar mbi 50 milionë euro në asistencë ndaj institucioneve gjyqësore dhe do të vijojmë po kështu në të ardhmen duke qenë se reforma në drejtësi është e një rëndësie kritike për integrimin në BE."

Në konferencën e organizuar në Tiranë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ngarkuari me punë i Ambasadës së BE në Tiranë Alexis Hupin, tha se përpjekjet për ta penguar reformën vazhdojnë.

"Ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet në çështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme, marrin edhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi si e tërë por ndonjëherë marrin dhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve."

Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i Ambasadës amerikane Demian Smith, u bëri thirrje institucioneve që ta shfrytëzojnë situatën e krijuar nga reforma dhe ndryshimet në sistemin e drejtësisë për ti shërbyer qytetarëve.

"Shqiptarët po nisin të shohim rezultate nga heqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe nga arrestimi i politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve të krimit të organizuar. Po fillojmë të shohim një epokë të re ku sistemi mund tu shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm politikanëve, personave që janë politikisht të lidhur, të pasur apo në krim."

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, theksoi se ky institucion po bashkëpunon me strukturat e ngjashme në vendet e BE-së për shkëmbimin e eksperiencave më efektive në garantimin e pavarësisë së magjistratëve.

Ndërkaq edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, evidentoi se reforma në drejtësi ka pastruar sistemin nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

EMISIONET