Ndalimi i abortit, s’është zgjidhje, aktivistët: Shoqëria nuk është gati, duhet më tepër edukim

Autoritetet kishtare në Shqipëri kërkojnë që aborti të ndalohet me ligj por për aktivistët e të drejtave të grave ndalimi nuk është zgjidhje.

Ata thonë se nevojitet shumë më tepër edukim dhe informim në lidhje me këtë temë delikate para se të shkohet në një vendimmarrje.

Ballauri: Nuk mund të thuash kaq lehtë që hajde të ndalojmë abortin në emër të jetës, të paktën në këtë periudhë që shoqëria shqiptare jeton. Është së pari e papërgatitur për ta realizuar këtë iniciativë dhe për ta mirëpritur.

Ndalimin e abortit, aktivistja Elsa Ballauri, e sheh si hap pas në arritjet e grave dhe vajzave.

Ballauri: Lejimi i abortit është një revolucion brenda lëvizjes feministe. Arriti shumë në aspektin e sigurisë që ka për veten në lidhje me vendimmarrjen që merr për jetën e saj.

Edlira Çepani, një tjetër aktiviste, thekson se duhet përcjellë më tepër informacion te të rinjtë në lidhje me të drejtat e grave dhe fëmijëve, ndërsa Rezarta Çaushaj shprehet se gratë dhe vajzat duhet të jenë të lira të vendosin.

Çepani: Fillon me një edukim të gjerë të shoqërisë, me një diskutim shumë të gjerë dhe të përgjegjshëm dhe me përgjegjësi mbi ata që mbajnë pozicionet pro dhe kundër.

Çaushaj: Shoqëria nuk është e detyruar që ta njohë si të drejtë abortin, ta inkurajojë abortin, por nga ana tjetër t'ja lërë individit si përgjegjësi individuale duke mos e inkurajuar, duke mos krijuar facilitete.

Aborti selektiv, edhe pse më i ulët në numër, mbetet fenomen shqetësues në Shqipëri.

Aktivistët e shoqërisë civile theksojnë se në këtë rast duhet të krijohen mekanizma për ti dhënë fund ndërprerjes së shtatzanisë për shkak të gjinisë.

Çepani: Duhet të marrë fund njëherë e mirë kjo kulturë, e cila vret fëmijët për shkak të gjinisë.

Çaushaj: Kjo është femicidi orgjinal, vrasja e vajzave për shkak sepse janë vajza, për asnjë lloj arsye tjetër.

Ishte imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Shkodrës, i cili riktheu vëmendjen te kjo temë pas deklaratave se shteti duhet ta ndalojë abortin me ligj.

Në Shqipëri aborti u lejua në fillim të viteve '90-të dhe rregullohet me një ligj të vitit 1995.

EMISIONET