Myzyraj: Mazhoranca theu premtimin, shoqëria civile me thirrje urgjente për deputetët para votimit

Gazetari Isa Myzyraj ka akuzuar mazhorancën qeverisëse për thyerje të besimit dhe tërheqje nga marrëveshja për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.

Në një prononcim për mediat, ka bërë një thirrje të fortë ndaj të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të mos votojnë projektligjin e propozuar nga qeveria.

"Atëherë unë kam vetëm dy gjëra për të theksuar ku më e rëndësishmja është procesi i konsultimit.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, sidomos ato për mbrojtjen e medias, janë angazhuar në këtë proces konsultimi prej muajsh tanimë me idenë në mirëbesim të të gjithë partive politike.

Ne kemi patur dakordësinë e të gjithë spektrit politik, përfshirë mazhorancën dhe opozitën deri më datën 21 janar të këtij viti, kur ne kemi menduar që shpifja dhe fyerja do të dekriminalizohen tërësisht totalisht dhe kemi marrë sigurinë e palëve politike.

Por fatkeqësisht, siç edhe shumë herë ka ndodhur, pra nuk është që ne jemi prerë në besë vetëm në këtë rast, por kjo tregon që procesi i konsultimit edhe në muajt e ardhshëm, në vitet e ardhshme, sidomos për nisma shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është një proces i cili mund të kthehet shumë shpejt vetëm në favor të mazhorancës dhe pavarësisht konsultimeve që ne i bëjmë në mënyrë të vazhdueshme, mazhoranca është e aftë që brenda ditës të ndryshojë mendim.

Ndaj, ashtu sikur e theksoi edhe Blerjana, edhe ne ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Shqipërisë për t'u, për të mos e votuar ditën e sotme projektligjin e propozuar nga qeveria dhe padyshim që në kuvend ditën e sotme në seancë parlamentare do të shtrohet edhe projektligji i propozuar nga deputetja e opozitës zonja Jorida Tabaku, që është kryetare e komisionit të mediave.

Ne kemi rënë dakord parimisht me draftin e paraqitur nga zonja Tabaku e cila dekriminalizon në mënyrë të plotë fyerjen dhe shpifjen, pra heq nga kodi penal nenet 119 dhe 120. Edhe diçka të fundit, për të gjithë ata, kryesisht deputetët e Partisë Socialiste, të cilët thonë që gazetarët duhet të mbajnë përgjegjësi për deklaratat e tyre.

Po, edhe ne mendojmë që gazetarët duhet të mbajnë përgjegjësi por në gjykatën civile dhe jo në gjykatën penale. Pra, ideja që ne jemi të amnistuar nga gjithçka çfarë thonë, nuk qëndron, pasi ne padyshim mendojmë që gjykata civile është ajo e nevojshmja ku gazetarët dhe çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë duhet të mbajë përgjegjësi mbi deklaratat e tyre", tha Myzyraj.

EMISIONET