“Mund të ketë licencë të re për landfill privat”, Tomorri zbulon tratativat për mbetjet pas mbushjes së Sharrës
Gazetari Klodian Tomorri, duke treguar përmasat e krizës në landfillin e Sharrës, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se tani po kërkohet një landfill privat për të hedhur mbetjet e bashkive të qarkut të Tiranës.
"Nuk është vetëm "larje duarsh" me inceneratorin, por lidhet edhe me të ardhmen. Çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës? U paguan paratë dhe nuk u ndërtua. Janë bërë mbetjet kapicë atje. Agjencia që administron landfillin, ka marrë vendim që të mos pranojë më. Dherat nuk pranohen më dhe inertet, ata kanë filluar i hedhin ku të gjejnë vend nëpër lumenj, pa kriter. Ne paguam 100 e ca milionë euro dhe nuk u zgjidh problemi i mbetjeve. Tani duhet gjetur vend i ri për mbetjet urbane, dherat, inertet e me rradhë.
Tani ka lindur problemi, çfarë do të ndodhë. Këta krijuan Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Mbetjeve dhe i kanë dhënë përgjegjësinë e menaxhimit të mbetjeve. Kjo agjenci do të lidhë kontrata për të gjetur zgjidhje për mbetjet. Po përflitet që mund të ketë licencë të re për landfillin privat. Është kjo agjenci që do të lidhë kontratën.
E dyta, është e paprecedentë, duket e pabesueshme. Që nga mars 2022, mbetjet nuk kanë qenë në fushën e përgjegjësisë së asnjë ministrie, janë lënë jetim. Pasi e lanë tre vjet rresht jashtë çdo përgjegjësie… Si të lihet energjia pa autoritet që të vendosë.
E hoqën në 2022 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nuk e vunë askund. Gjatë kësaj kohe ka patur përplasje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, që nuk pranonte ta merrte, sepse ishte çështja e inceneratorit. Të gjithë e dinin që do të kishin me vete pataten e nxehtë të inceneratorit. Prandaj krijuan një agjenci. Kanë vënë Ersi Sulejmani drejtor, që bëri sherrin në Shkodër dhe i drejtuan armët. Ka patur dhe shumë akuza nga opozita për të” - tha Tomorri.