Montanario: Shqipëria në drejtimin e SEPCA-së, kapitull i ri në luftën kundër krimit të organizuar

Drejtuesi i projektit “EU4Fast”, Antonio Montanario u shpreh sot se me drejtimin shqiptar të Asamblesë së Shoqatës së Shefave të Policisë të Evropës Juglindore (SEPCA) dhe bashkëpunimin Policisë së Shtetit, hapet një kapitull i ri për mënyrën e luftës kundër krijimit të organizuar.
Në fjalën e tij gjatë Asamblesë së SEPCA-së 2025, që po zhvillohet në Berat, ku Policia e Shtetit është në cilësinë e presidentes së SEPCA-së për këtë vit, Montanario tha se e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë mbështetet në mënyrën se si ne luftojmë krimin e organizuar.
“Është një entuziazëm shumë i madh për t’ju drejtuar ju sot në këtë kapitull të ri që kemi si një angazhim të përbashkët. Sa i përket Shqipërisë që merr presidencën e SEPCA-s, ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin tonë për të ndërtuar themelet solide që kemi. Vitin e kaluar sa i përket drejtimit nga ana e Serbisë, u pa një dëshmi e asaj që është arritur përmes bashkimit, inovacionit dhe këmbënguljes, ndërsa E4Fast ka arritur që të ketë rezultate të prekshme”, tha ai.
Drejtuesi i E4Fast u shpreh se bashkëpunimi rajonal ka rritur kapacitetet institucionale, ndërsa roli i Shqipërisë në drejtimin e SEPCA-së 2025 pritet me shumë entuziazëm dhe besim nga të gjitha palët.
“Shqipëria sjell rolin e saj me një përvojë të pasur, me një perspektivë dinamike, me përkushtim të paepur për vlerat që ne ndajmë së bashku. Në drejtimin e Shqipërisë, ne do vazhdojmë të thyejmë akuj dhe të arrijmë lartësi të mëdha. Jam i kënaqur që Shqipëria ka ndërmarrë drejtimin e SEPCA-së dhe ky është një fillim i mirë, ndërsa ne, si E4Fast garantojmë mbështetje në hartimin e vlerësimeve të krimit të organizuar, kërcënimeve dhe hetimeve financiare”, cilësoi Montanario.
Ai shtoi se Eu4Fast mbetet një platformë përmes të cilës, sigurohet transformimi i të gjitha shërbimeve reaguese kundër krimit dhe pushtetit të krimit, si edhe efikasiteti dhe siguria për qytetarët.
“Me drejtimin shqiptar jam besimplotë që do të kemi më shumë energji dhe një angazhim të përbashkët për të arritur ekselencën. Të mbështesim njëri-tjetrin dhe të arrijmë bashkëpunime të tjera”, përfundoi Montanario.


