Ministri Peleshi zbulon misterin, ja pse helikopteri “Cougar” i FA ka ngelur në Itali prej 2020
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kërkon ndihmën e deputetëve për të zgjidhur çështjen e helikopterit Cougar i cili prej gati një viti qëndron në Itali ku bëri ulje të detyruar sapo doli nga kompania e mirëmbajtjes franceze.
Niko Peleshi:"Ka një problematikë me një helikopter Cougar që ka bërë ulje të detyruar në Itali në gusht 2020.
Kompania e mirëmbajtjes franceze që bëri mirëmbajtjen e këtij helikopteri nuk arriti dot ta sillte në Shqipëri dhe helikopteri bëri ulje të detyruar në Itali. Kemi një çështje shumë të komplikuar. Nëse kontribuoni me ide si ta zgjidhim do të ishim shumë falenderues.
Çfarë po ndodh me Cougar në Itali?
Niko Peleshi: Kompania franceze pretendon se nuk u ul për shkak të problemeve të veta. Ne pretendojmë se u ul për shkak të problemeve të kompanisë franceze. Për këtë arsye do të duhet një palë e tretë. U kontraktua një filial i airbus, që ka prodhuar helikopterin Cougar. Kompania duhet të bëjë ekspertimin dhe të bëjë ekspertizën për të zbuluar shkaqet dhe faji i kujt është, sepse ka në faturë për tu paguar dhe që nuk e kemi paguar dhe me shumë gjasa mund ta ndajë një proces gjyqësor.
Nuk dua ta paragjykoj por mund të ketë mirëkuptim kompania franceze pas aktit të ekspertimit por më e keqja do të jetë një proces gjyqësor. Dhe nëse shkon në gjyq nuk shkon me duar në xhepa, këtu jemi. Këtu kem ngecur me gjithë përpjekjet politike e diplomatike nuk kemi arritur ta mbyllim në kohë këtë proces.
Shpresat i kemi të mbarojë në fillim të vjeshtës nëse jo do të shkojmë drejt prishjes së kontratës dhe çuarjes aty ku kemi vendosur ti çojmë të gjithë helikopterët për mirëmbajtje në SPA, Agjencia e Prokurimit të NATO-s.
Nuk duam të bëjmë më procedura prokurorimi për mirëmbajtjen sepse forca jonë e negocimit, mbase po të doni hartimit dhe menaxhimit të kontratave të komplikuara të këtij lloji nuk është aq sa e një agjencie të specializuar si në SPA
E kemi marrë këtë vendim. Kemi çuar një cougar në SPA dhe eksperienca e parë ishte shumë pozitive. Brenda 3 muajsh u riparua dhe u kthye në Shqipëri.
Sot në komisionin e Sigurisë mbahet seancë Dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes z. Niko Peleshi kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike anëtar të Komisionit për Sigurinë Kombëtare lidhur me ndryshimet e fundit të propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”” si dhe me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit.

