Miliarda lekë për të mbuluar plehrat, në incinerator pak investime, kontrata e dyshimtë në Tiranë
Incineratori i Tiranës duhet të menaxhojë dhe përpunojë mbetjet. Por sipas anëtarëve të Komisionit Hetimor, aty nuk incinerohet asnjë mbetje, por është vetëm një landfill.
Ky është vendi ku pretendohet se duhet të realizohet djegia e mbetjeve, por pamjet tregojnë qartë se është vetëm një gropë.
Investimi i vetëm është mbulimi i zonës me pemë. Megjithatë grumbujt e mëdhenj të mbetjeve vazhdojnë të krijojnë ndotje pavarësisht se koncesioni ka marrë fonde.
Incineratori i Tiranës i ka kushtuar deri më tani buxhetit të shtetit rreth 4.5 miliard lekë të paguar nga bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj.
Në fakt edhe Erion Veliaj deklaroi vite më parë me pompozitet diferencimin e mbetjeve.
Por superfondet që ka marrë ky koncesion e ka lënë situatën e njëjtë.
Sipas anëtarëve të Komisionit Hetimor edhe në incineratorin e Tiranës janë përdorur të njëjtat procedura si ai i Elbasanit.
Për shkeljet e deklaruara nga opozita dhe të denoncara në media SPAK tashmë ka hapur hetim, por pa dhënë të qartë se deri në cilin nivel funksionarësh do të shkojë çështja.

