Meta kujton Azem Hajdarin: Energjia dhe guximi i tij duhet të frymëzojnë përpjekjet për Shqipërinë si gjithë Europa

Presidenti, Ilir Meta, ka përkujtuar në 23-vjetorin e vrasjes, liderin e Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdarin.
Në një postim në facebook, Meta shpreh nderim, respekt dhe mirënjohje ndaj veprës së përjetshme të Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’, që solli pluralizmin politik dhe demokracinë.
Presidenti nënvizon se energjia dhe guximi i tij duhet të frymëzojnë përpjekjet tona për një Shqipëri si gjithë Europa.
23 vite më parë, në 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike u ekzekutua deputeti i kësaj partie dhe lider i Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari.
Ai u vra në moshën 35-vjeçare pas një karriere 8-vjeçare politike shumë të rëndësishme. Përpara se të ekzekutohej Azem Hajdarit i ishin bërë edhe dy atentate të tjera brenda një viti.

