Zgjedhjet shtyjnë Kongresin e PS, Rama mbledh strukturat pas dekretimit të 6 marsit nga presidenti Meta

Pas dekretimit të datës 6 mars për zgjedhjet e pjesshme nga presidenti Meta, kryeministri Edi Rama ka mbledhur strukturat duke konfirmuar angazhimin për zgjedhje. Gara për 6 bashkitë e vendit ka ndryshuar edhe axhendën e Partisë Socialiste, e cila ka shtyrë mbajtjen e Kongresit të parashikuar më 29 janar, pas zgjedhjeve.

6 marsi ka ndryshuar axhendën e Partisë Socialiste, pasi për t’u angazhuar në fushatë elektorale kanë zhvendosur mbajtjen e Kongresit pas zgjedhjeve, i cili ishte parashikuar me 29 janar.

Por edhe pse socialistët nuk e mohojnë kënaqësinë e pushtetit, kryesocialisti Edi Rama pas mbledhjes së strukturave në seli la të nënkuptohej që fitorja e 6 bashkive nuk është objektiv me çdo kusht.

"Ne jemi kampionët që gjithmonë hyjmë për të fituar dhe nuk ka rezultat tjetër përveç fitores. Ne jemi njishat. Këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje për komunitetet. Ne nuk do të bëjmë një luftë për jetë a vdekje."

Edhe pse nuk i ka ende emrat që do të kandidojë në 6 bashki, Edi Rama përjashtoi dy kategori.

"PS nuk i jep shans të dytë askujt që e vë në pozitë të vështirë në sytë e njerëzve duke gënjyer në një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës tonë publike. Nuk ka shanse të dyta për askënd".

Pasi i mbajti për më shumë 2 vite më radhë bashkitë me njerëzit e tij, fokusi i Kryeministrit tashmë është kuvendimi popullor.

"Është terësisht e vërtetë që unë jam jo më i shqetësuar por më i angazhuar, e kam mendjen më shumë te këshillimi kombëtar sepse është hera e parë që ndodh."

Edhe pse e pohon që nuk do të lejojë asnjëherë të fitojë mendimi i qytetarëve mbi projektet e pushtetit.

"Janë pamje të përsëritura, do të jenë pamje të përsëritura sa herë që në emër të mbrojtjes të një të drejte individuale do të shkelet e drejta e përbashkët dhe do të shkelet ligji. Askush nuk mund ti imponohet një komuniteti dhe një shteti për të mbajtur atë që nuk i takon."

 

EMISIONET