Meta akuza të forta KLGJ-së për Gjykatën e Lartë: Zvarriti emërimet, mbajti peng gjyqtarët e Kolegjit
Presidenti Ilir Meta ka firmosur emërimin e Asim Vokshit në gjykatën e lartë duke e plotësuar këtë institucion me 9 anëtarë. Në një reagim pas këtij dekreti, Kreu i Shtetit akuzon KLGJ-në se ka zvarritur qëllimisht procedurat e emërimit të anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë. Sipas Metës, zvarritja është bërë për ti mbajtur gjyqtarët nën presion pasi ishin anëtarë të Kolegjit Zgjedhor dhe po shqyrtonin ankesat në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.
Presidenti Ilir Meta ka dekretur emërimin e gjyqtarit Asim Vokshit në Gjykatën e Lartë duke e plotësuar këtë institucion tashmë me 9 anëtarë, ndërkohë që akuzon Këshillin e Lartë gjyqësor se ka zvarritur qëllimisht plotësimin e vakancave.
Zyra e shtypit njoftoi se në datën 23 korrik 2021, presidenti Meta ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e gjyqtarit Asim Vokshi si anëtari më i ri në Gjykatën e Lartë, pas zgjedhjes përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Tashmë Gjykata e Lartë plotësohet me 9 anëtarë ndërkohë që në njoftim theksohet se presidenti Meta, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e KLGJ.
Sipas Kreut të Shtetit, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka krijuar vonesa të pajustifikuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.
Presidenti thekson më tej se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë, duke i mbajtur gjyqtarët nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.
Kreu i Shtetit thekson se kjo vonesë në plotësimin e vendeve vakante ka ndodhur në një kohë kur mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh.
Meta në deklaratë bën thirrje që pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet jo vetëm në dukje, por dhe në themel të saj.

