Megaoperacion në Krujë/ 5 të arrestuar, 2 në kërkim për kanabis, sekuestrohen lekë, euro e makina

Një hetim disa mujor ka çuar në prangat e policisë 5 persona në Krujë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim si pjesë e një grupi që kultivonin kanabis.
Policia ka sekuestruar 5.3 kg kanabis të gatshme për shitje, 1353 bimë kanabisi, të kultivuara në zona të pyllëzuara, 2 450 000 lekë, 4000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu.
Me finalizimin e megaoperacioni policor antikanabis të koduar “Survey”, u arrestuan:
Artan Elezaj, 35 vjeç, Afmet Elezaj, 41 vjeç ( vëllezër), Sokol Xaka, 24 vjeç, Gezim Lloti, 36 vjeç dhe Perparim Kasa, 47 vjeç.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Muharrem Xaka, 26 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar S. X.) dhe Bilal Afmeti, 37 vjeç.
"Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në kohë dhe në ambiente të hapura të ndryshme, 1353 bimë narkotike, në zona të pyllëzuara të fshatit Bruz Mal, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar përgjatë periudhës hetimore.
Në vijim të kontrolleve në kuadër të operacionit “Survey”, në banesën e shtetasit të arrestuar G. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 5.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e gatshme për shitje.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 450 000 lekë, 4000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu, të dyshuara të përfituara apo të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale," njoftoi policia.
Vijon puna për kapjen e shtetasve M. X. dhe B. A.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
